Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpalli të enjten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt.
“Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej rreth 438 mijë (vota) apo 49.95 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka rreth 148 mijë apo 16.9 për qind, Lidhja Demokratike ka 110 mijë apo 12.64 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka rreth 62 mijë apo 7.07 për qind, Lista Serbe ka rreth 44 mijë apo 5.06 për qind”, tha kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Sipas këtyre rezultateve, lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 vende në parlamentin 120 vendesh, Partia Demokratike e Kosovës 19 vende, Lidhja Demokratike 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, ndërsa 10 vende i takojnë komunitetit serb dhe dhjetë të tjera partive politike nga radhët e pakicave tjera kombëtare.
Jashtë parlamentit do të mbetet Nisma Socialdemokrate, e cila nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor prej pesë për qind.
Partitë politike dhe kandidatët e tyre kanë tashmë 24 orë afat për të paraqitur ankesat e tyre të mundshme.
Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës tregon afatet që rrjedhin deri te certifikimi i rezultateve.
“Pastaj, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka 72 orë për të vendosur për ankesat e mundshme, pas këtij afati rrjedh një afat tjetër që vlen për Gjykatën Supreme dhe në qoftë se subjektet politike kanë ndonjë ankesë ndaj vendimeve të PZAP mund të paraqesin ankesat brenda 24 orëve edhe në Gjykatën Supreme e cila ka një afat prej 72 orësh për të kthyer përgjigje dhe të marr vendim për ankesat e subjekteve politike”, tha ajo.
Ajo thotë se çdo ankesë që do të shqyrtohet do të shtyjë procesin e certifikimit të rezultateve.
“Në qoftë se ka vendime të bazuara atëherë procesi mund të shkon në rinumërim por në qoftë se nuk ka ankesa të tilla nënkupton që mbas 8 ditëve mund të kemi edhe certifikimin e rezultateve përfundimtare”, tha zonja Haxhiu.
Në fund të këtij procesi bëhet certifikimi i zgjedhjeve pas të cilit ka një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e parlamentit të ri.
Këto zgjedhje paraqesin edhe ndryshimin më të madh në skenën politike dhe lëvizja Vetëvendosje arriti fitoren më të thellë që kë shënuar ndonjë parti në të gjitha proceset zgjedhore pasluftës në Kosovë.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që pritet të jetë kryeministër i Kosovës, tha të mërkurën se me numrin e deputetëve të fituar lëvizja e tij do ta kirjojë qeverinë me votat e pakicave jo serbe. Formimi i qeverisë kërkon të paktën 61 vota.
“Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e do të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, tha zoti Kurti, gjatë një vizitë në Shqipëri.
Por, sfidë sipas vëzhguesve, mbetet zgjedhja e presidentit të ri të vendit, një proces që kërkon mbështetjen e dy të tretave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.
Facebook Forum