Sulmi ndaj Kapitolit në Uashington ka ringjallur kritikat ndaj mediave sociale dhe rolit të saj në nxitjen e dhunës. Ndërsa Facebook-u dhe Twitter-i kanë ndaluar Presidentin Trump, janë ngritur shumë pyetje në lidhje me të ardhmen e lirisë së shprehjes në internet.
Dhuna e javës së kaluar në Kapitol erdhi pas disa javë aktivitetesh në mediat sociale nga Presidenti Donald Trump dhe të tjerët. Facebook ishte një nga pikat ku zhvillohej ky aktivitet.
"Kur ke tre miliardë njerëz në një platformë të krijuar për angazhim maksimal pa kontroll nga qeveria….kjo krijon kushtet për këtë mjedis", thotë Jesse Lehrich, bashkëthemelues i organizatës Teknologjia e Përgjegjshme.
Gjigandët e mediave sociale si Facebook, Twitter dhe Snap u përgjigjën duke pezulluar ose ndaluar plotësisht llogaritë e Presidentit Trump dhe disa mbështetësve të tij. Ekziston një përpjekje për të hequr përmbajtje me frazën "ndalo vjedhjen", një thirrje që i bashkon të gjitha ata që thonë se Presidenti Trump fitoi me të vërtetë zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Kompania Amazon hoqi nga serverat e saj faqen e internetit Parler, një platformë alternative ndaj Twitter-it për konservatorët, ndërsa Google dhe Apple e hoqën atë nga lista e aplikacioneve që mund të shkarkohen në shërbimet e tyre.
Ata që humbën qasjen në këto platforma thonë se kjo nuk është e drejtë. Të tjerët thonë se ky veprim ishte i vonuar. Janë shtuar thirrjet për ligje të reja mbi lirinë e shprehjes në internet dhe për të zvogëluar fuqinë që kanë kompanitë teknologjike. Ekspertët thonë se duhet të shtohet vëmendja ndaj këtyre çështjeve.
"Kjo është faza në të cilën jemi tani, dhe mund të jetë tepër e rrezikshme nëse nuk i shqyrtojmë me seriozitet këto zhvillime."
Megan Squire është profesore e shkencave kompjuterike në Universitetin Elon dhe studion aktivitetet e grupeve ekstremiste në internet.
"Nuk mjafton vetëm heqja e një personi nga platformat dixhitale. Duhet të ketë një fokus në hapat pasues."
Ajo që do të ndodhë më pas është e parashikueshme, thotë zonja Squire. Lëvizja në platformat si Telegram u rrit pas veprimeve të firmave të mëdha dixhitale.
"Disa platforma që i ndoqa po rriteshin me një nivel 100 dhe 200 përqind."
Për gjigantët e internetit si Facebook, YouTube, Google dhe Twitter, ky duhet të jetë moment reflektimi mbi përgjegjësinë e tyre, thotë bashkëthemeluesi i organizatës jofitimprurëse Teknologjia e Përgjegjëshme, Jesse Lehrich.
"Në shumë mënyra, platformat e tyre kanë qenë mjete rekrutuese për këto lëvizje ekstremiste. Kështu që nuk është e mjaftueshme për të marrë masa vetëm ndaj një numri postimesh. Ata duhet të trajtojnë çështjen se si kanë arritur të jenë një forcë shtytëse në të gjitha këto zhvillime", thotë ai.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mësojnë më shumë mbi faktorët që çuan në kaosin në kryeqytetin e vendit, vazhdojnë të shtohen pyetjet në lidhje me të ardhmen e lirisë së shprehjes në internet
Facebook Forum