Lidhje

Biden: Vendi në një krizë vuajtjesh të thella njerëzore, si pasojë e COVID-19-s


Numri i të infektuarve në të gjithë botën nga koronavirusi vazhdon të pësojë rritje me më shumë se 93 milionë infeksione që prej fillimit të pandemisë dhe rreth 2 milionë vdekje.

SHBA mbetet në krye të listës si për nga numri rasteve ashtu edhe për nga numri vdekjeve. Në SHBA janë regjistruar 23 milionë raste me COVID-19 prej fillimit të pandemisë ndërsa numri i të vdekurve po i afrohet me shpejtësi 400 mijë rasteve.

Pasi kanë vaksinuar punonjësit e vijës së parë të frontit, disa shtete amerikane e kanë zgjeruar procesin edhe për të moshuarit, por janë përballur me një vërshim të kërkesave. Objektet spitalore janë në prag të mbarimit të vaksinave dhe në shumë raste sistemet që administrojnë kërkesat për vaksinim kanë dalë jashtë funksionit.

Të enjten Presidenti i zgjedhur Joe Biden njoftoi një plan ndihmash prej rreth 2 trilionë dollarësh për pandeminë dhe krizën ekonomike në vend, nga të cilat 400 miliardë dollarë janë planifikuar për COVID-19-n.

Gjatë prezantimit të planit zoti Biden tha se duket qartë që pandemia ka shkaktuar një "krizë vuajtjesh të thella njerëzore”.

"Plani i Shpëtimit", do të përmbushte qëllimin e zotit Biden për kryerjen e 100 milionë vaksinimeve në 100 ditët e para pas marrjes së detyrës më 20 janar dhe avancimin e objektivit të tij për të rihapur shumicën e shkollave deri në pranverë. Në të njejtën kohë, ai beson se do të japë një raund tjetër ndihmash për të stabilizuar ekonominë ndërsa përpjekjet për të vënë nën kontroll pandeminë do të fillojnë të sjellin rezultate.

Plani i tij përfshin 1,400 dollarë çeqe për shumicën e amerikanëve, të cilët tashmë pritet të marrin 600 dollarë nga paketa e fundit financiare për COVID-19, që do ta çonte totalin në 2,000 dollarë, që zoti Biden e kishte kërkuar më parë. Ai gjithashtu do të zgjasë deri në shtator përfitimet e papunësisë dhe një moratorium mbi dëbimet dhe përjashtimet nga pamundësia e pagimit të qerasë.

Në fjalimin e tij Biden gjithashtu përmendi qëllimet politike afatgjata të demokratëve, si rritja e pagës minimale në 15 dollarë në orë, zgjerimi i pushimeve me pagesë për punëtorët dhe rritja e kredive tatimore për familjet me fëmijë. Pika e fundit do ta bënte më të lehtë për gratë që të ktheheshin në punë, gjë që do të ndihmonte në rimëkëmbjen e ekonomisë.

Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer ka thënë se miratimi i një projektligji për të lehtësuar pasojat e pandemisë do të ishte përparësia kryesore e demokratëve me marrjen në kontroll të Senatit.

Ngritja zyrtarisht e akuzës për shkarkimin e Presidentit Donald Trump të mërkurën kërcënon të mbushë kalendarin e punimeve të Senatit, por zoti Biden tha se ai shpreson që kjo dhomë e Kongresit të mund ta ekuilibrojë këtë çështje me përparësi të tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG