Lidhje

Zgjedhjet amerikane dhe gara për në Senat


Me vetëm dy muaj deri në ditën e zgjedhjeve, gara për në Shtëpinë e Bardhë nuk është i vetmi vendim i rëndësishëm që do të marrin votuesit amerikanë. Një numër i vogël garash të ngushta në të gjithë vendin do të përcaktojnë nëse republikanët do të mbajnë shumicën e tyre me 53 vende në Senatin prej 100 anëtarësh - një dinamikë që do të ketë pasoja të mëdha për axhendën politike të vendit gjatë dy viteve të ardhshme.

Kuvendi Republikan në Sharlot ka përfunduar .... por beteja politike në Karolinën e Veriut nuk ka të ndalur.

Senatori i këtij shteti Cal Cunningham është një nga shumë demokratët në të gjithë vendin që kandidon për të sfiduar senatorët republikanë - si kundërshtari i tij Thom Tillis.

Me zonat e saj rurale, urbane dhe periferike, Karolina e Veriut është një tregues ideal i peizazhit politik të vendit.

“Karolina e Veriut është si një mikrokozmos i vendit në tërësi, sepse shteti ynë është thellësisht i ndarë. Janë ata pak votues të pavendosur që mund të kalojnë nga njëra anë në tjetrën që e bën Karolinën e Veriut aq konkurruese", thotë Michael Bitzer me Kolegjin Catawba.

Sondazhet tregojnë se demokrati Cunningham kryeson ndaj republikanit Tillis me rreth 5 përqind. Presidenti Trump po luan një rol kryesor në këtë garë.

"Dinamikat kombëtare janë të dukshme këtu në Karolinën e Veriut, veçanërisht për garën e Senatit. Thom Tillis ishte shumë I afërt me Presidentin Trump përpara COVID-it. Por kur goditi pandemia, ai filloi të pozicionohet më shumë drejt qendrës, duke mos folur shumë për Donald Trump-in”, thotë Michael Bitzer.

Koronavirusi është gjithashtu një çështje kryesore në Ajoua, ku senatorja republikane Joni Ernst është e mbërthyer në debat me sfiduesen demokrate Theresa Greenfield për shkak të pandemisë. Një tregues se dinamika kombëtare do të luajë më shumë rol në garat e Senatit këtë cikël zgjedhor, thonë analistët.

“Ne presim të shohim në se njerëzit mbrojnë presidentin dhe trajtimin e pandemisë së koronavirusit nga ana e tij apo nëse përpiqen të distancohen paksa. Dhe kjo do të varet nga sa ka ndikuar pandemia në secilin shtet”, thotë Casey Burgat me universitetin George Washington.

Në Mein, Susan Collins ka marrë mjaft vëmendje pas votës së saj që vendosi konfirmimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh dhe shpalli të pafajshëm presidentin Trump në gjyqin e fajësimit në fillim të këtij viti.

Ajo është pas sfidueses Sara Gideon - e cila grumbulloi miliona dollarë duke kritikuar pikërisht këto votime të senatores Collins. Por në Alabama, mbështetja e Presidentit Trump për republikanin Tommy Tuberville ka qenë një shtysë e madhe, duke i dhënë atij një epërsi të madhe ndaj demokratit Doug Jones, i cili ka të ngjarë të humbasë.

"E gjitha do të varet nga pjesëmarrja, dhe veçanërisht në vendet ku Trump-i fitoi papritur në 2016-ën dhe në aftësitë e këtyre senatorëve për të përdorur dinamikën e shteteve të tyre në mënyrë të pavarur nga zgjedhjet e përgjithshme", thotë Casey Burgat.

Demokratët shpresojnë gjithashtu të fitojnë vende në Kolorado dhe Arizona - ata do të duhet të marrin tre vende nëse Biden-i fiton – dhe katër vende nëse ai humbet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG