Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi, Judy Rising Reinke shprehu shqetësimin për dhunën e shfaqur në disa qytete të Malit të Zi nga mbështetësit e opozitës proserbe gjatë festimit të fitores në zgjedhjet parlamentare.
“Mali i Zi njihet për tolerancë. Qetësia që pamë në ditën e zgjedhjeve duhet të mbizotërojë. Të gjitha palët duhet të veprojnë në mënyrë paqësore dhe të shmangin dhunën. Dialogu dhe mbrojtja e pakicave janë çelësi i demokracisë”, tha ambasadorja Reinke.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç i quajti mungesë tolerance dhe pimitivizëm veprimet e partive të opozitës.
“Mbrëmë pati mungesë të tolarancës, shfaqje të agresionit dhe primitivizmit. Jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në rajon po konfrontohen dy projekte për të ardhmen: njëri që e personifikon pushtetin e deritashëm, i cili e sheh Malin e Zi në Evropë dhe tjetri që ngjan me nacionalizmin e viteve të 90-ta”, tha zoti Gjukanoviç.
Edhe kryetari i koalicionit opozitar “E zeza në të bardhë”, Dritan Abazoviçi për thirrje përmbajtje nga dhuna dhe provokimi.
“Si kurrë më parë, është e nevojshme të ruhet paqja, harmonia ndëretnike dhe ndërfetare në Mal të Zi. Mos lejoni të rrezikohet fitorja historike me papërgjegjësinë tonë”, tha Abazoviç.
Këto reagime janë pasojë e disa përplasjeve midis mbështetësve të partive pro-malazezë dhe atyre pro-serbe në disa qytete të Malit të Zi. Në Podgoricë u lënduan disa persona, kurse incidenti më i rëndë u parandalua nga policia, e cila ndau dy grupet rivale që po festonin në një kafene në kryeqytetin e Malit të Zi, njftuan mediat malazeze.
Edhe në qytetit verior të Malit të Zi, Rozhajë pati një incident në të cilin sulmuan dy qytetarë të komunitetit boshnjak nga mbështetës të partive proserbe, të cilët po festonin fitoren e opozitës.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partive opozitare në Mal të Zi, të cilët fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare, Zdravko Krivokapiç, Aleksa Beçiç dhe Dritan Abazoviç ranë dokord rreth zbatimit të disa parimeve në qeverinë e mundshme të Malit të Zi.
Në njoftimin për opinion thuhet se “parimi i parë duhet të jetë zbatimi me përgjegjësi i të gjitha detyrimeve ndërkombëtare, pastaj zbatimi i të gjitha reformave të nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me BE dhe qeveria e ardhshme demokratike të formohet nga ekspertë të fushave të ndryshme pavarësisht nga prejardhja e tyre politike, fetare e kombëtare”.
Nëse qeveria e re formohet nga aleanca proserbe “Për të ardhmen e Malit të Zi", ajo mund të përpiqet ta zhvendosë vendin më afër Serbisë dhe Rusisë, por nuk pritet ta largojë atë nga NATO-ja ose të braktisë synimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Partia Demokratike Socialiste e presidentit Gjukanoviç, qeverisi me Malin e Zi për tri dekada dhe në vitin 2006 e shkëputi Malin e Zi nga Serbia, ndërsa në vitin 2017 Mali i Zi u bë vend anëtar i NATO-s.
Anëtarësimi zemëroi Rusinë e cila e sheh Malin e Zi si një zonë që tradicionalisht ka qenë në sferën ruse të interesit. Mali i Zi ka akuzuar Rusinë për mbështetjen e një përpjekjeje për grusht shteti pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2016, që thuhet se kishte për synim të ndalte rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO. Rusia i ka mohuar akuzat.
Vendi me rreth 600 mijë banorë historikisht ka qenë i ndarë mes forcave politike pro-perëndimore dhe aleancës me aleatët ortodoksë, Serbinë dhe Rusinë.
Mali i Zi është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2012.
Facebook Forum