Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, thanë të martën se presin që institucionet e Malit të Zi do të vazhdojnë rrugën e qëndrueshme të shtetit të vogël buzë Adriatikut drejt integrimeve evropiane.
Ata i bënë këto komente në një komunikatë të përbashkët pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Malin e Zi në të cilat Partia Demokratike Socialiste e presidentit properëndimor, Milo Gjukanoviç fitoi 35.05 për qind të votave që i sigurojnë 30 vende në parlamentin 81 vendesh, ndërsa aleanca pro serbe “Për të ardhmen e Malit të Zi”, fitoi 32.55 për qind të votave ose 27 mandate.
Kjo e fundit synon të formojë pushtetin me koalicionin promalazez “Paqja është kombi ynë” dhe koalicionin “E Zeza në të bardhë” që drejtohet nga politikani shqiptar, Dritan Abazoviq.
Zyrtarët e lartë evropianë thanë se zgjedhjet u mbajtën me kuadër të pandryshuar ligjor dhe ishin të qeta e konkurruese. Ata thanë se sipas gjetjeve paraprake të vëzhguesve të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zgjedhjet u administruan në mënyrë transparente dhe efikase, por përgjatë një debati të polarizuar mbi çështjet e kishës dhe identitetit kombëtar dhe një numër shqetësimesh në lidhje me përparësitë e partisë në pushtet dhe mbulimin e pa balancuar të medieve.
Ata thanë se pas raporti përfundimtar të OSCE/ODIHR-it, të gjitha palët dhe dhe institucionet përkatëse duhet të angazhohen në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës për zbatimin e rekomandimeve për të trajtuar mangësitë elektorale para zgjedhjeve të ardhshme.
“Ne po presim mbledhjen e parlamentit dhe krijimin e qeverisë së re që do të vazhdojë rrugën e qëndrueshme të Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian. Mali i Zi është mjaft i avancuar në procesin e tij të anëtarësimit në BE dhe muajt në vazhdim duhet të përdoren për të thelluar dhe përshpejtuar reformat politike dhe ekonomike, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, ku çështja kryesore është përmbushja e Standardeve të Përkohshme për Kapitujt e Sundimit të Ligjit 23 dhe 24. Bashkimi Evropian është plotësisht i përkushtuar të vazhdojë të mbështesë procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE si dhe rimëkëmbjen ekonomike pas krizës së COVID-19 edhe përmes Planit të ardhshëm Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e zyrtarëve të lartë evropianë.
Nëse qeveria e re formohet nga aleanca pro serbe “Për të ardhmen e Malit të Zi, mund të përpiqet ta zhvendosë vendin më afër Serbisë dhe Rusisë, por nuk pritet ta largojë atë nga NATO-ja ose të braktisë synimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Partia Demokratike Socialiste e presidentit Gjukanoviç, qeverisi me Malin e Zi për tri dekada dhe në vitin 2006 e shkëputi Malin e Zi nga Serbia, ndërsa në vitin 2017 Mali i Zi u bë vend anëtar i NATO-s.
Anëtarësimi zemëroi Rusinë e cila e sheh Malin e Zi si një zonë që tradicionalisht ka qenë në sferën ruse të interesit. Mali i Zi ka akuzuar Rusinë për mbështetjen e një përpjekjeje për grusht shteti pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2016, që thuhet se kishte për synim të ndalte rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO. Rusia i ka mohuar akuzat.
Vendi me rreth 600 mijë banorë historikisht ka qenë i ndarë mes forcave politike pro-perëndimore dhe aleancës me aleatët ortodoksë, Serbinë dhe Rusinë.
Mali i Zi është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2012.
Facebook Forum