Debati i ndezur në Shtetet e Bashkuara lidhur me të drejtën e armëmbajtjes, të sanksionuar në Amendamentin e Dytë të Kushtetutës, ka qenë në qendër të fjalimeve si në kuvendin e demokratëve, ashtu edhe atë të republikanëve. Të hënën kjo temë u diskutua në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve kur e mori fjalën një çift nga Mizuri që kishte tërhequr vëmendjen e opinionit publik kur u drejtuan armët protestuesve që demonstronin pranë shtëpisë së çiftit me thirrjet për drejtësi racore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson shpjegon këndvështrimet e ndryshme mes aktivistëve për të drejtën e armëmbajtjes dhe atyre që kërkojnë forcimin e kontrollit mbi armëmbajtjen dhe si reflektohen këto dallime në dy fushatat zgjedhore:
Presidenti Donald Trump paralajmëroi se e drejta e armëmbajtjes, e sanksionuar në Kushtetutë, do të zhdukej nëse demokratët fitojnë zgjedhjet.
“Do t’jua marrin armët. Është krejt e sigurtë. Do t’jua marrin armët dhe do të zhdukin Amendamentin e Dytë,” tha Presidenti Trump.
Të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Dytë kanë qenë gjithmonë një temë e rëndësishme politike për arsye të rolit që kanë luajtur armët në themelimin e Shteteve të Bashkuara.
“E gjitha kjo bëhet në emër të garancive për të parandaluar një qeveri tiranike. Pra kjo dëshirë për ta pasur gjithmonë këtë garanci, ushqen këtë ndjenjë në shoqërinë amerikane,” thotë Alex Clayton, pedagog në Universitetin Amerikan.
E drejta e armëmbajtjes u ngrit gjatë natës së parë të Kuvendit Kombëtar Republikan nga çifti Mark dhe Patricia McCloskey, të dy juristë. Ata u bënë të njohur në median sociale pasi u drejtuan armët protestuesve që kërkonin drejtësi racore kur po kalonin pranë shtëpisë së çiftit.
“Presidenti Trump do të mbrojë të drejtën që i ka dhënë Zoti çdo amerikani për të mbrojtur shtëpinë dhe familjen e tij,” tha juristi Mark McCloskey.
Përkrahësit e së drejtës së armëmbajtjes argumentojnë se problemi nuk zgjidhet me kufizimin e numrit të armëve. Babai i një vajze që u vra në masakrën e shkollës së mesme Parkland në Florida tha se presidenti mori vendimin e duhur kur theksoi nevojën për rregullore më të forta sigurie në shkolla:
“Besoj se siguria e fëmijëve tanë varet nga rizgjedhja e zotit Trump,” tha Andrew Pollack.
Por masakrat që kanë tronditur vendin herë pas here gjatë viteve të fundit kanë rezultuar në protesta me thirrjet për ligje për kontrollin e armëve. Pjesa më e madhe e amerikanëve mbështesin forcimin e ligjeve për kontrollin e armëve, sipas anketave. Kjo u përmend gjatë Kuvendit Kombëtar Demokrat të zhvilluar javën e kaluar:
“Vëmendja tek politika për të ulur dhunën nga armët mund të jetë pikë takimi për pak a shumë të gjithë në Partinë Demokrate. Prandaj është me vend që vëmendja të përqendrohet tek kjo pikë dhe jo tek një temë që krijon polemika më të forta,” thotë zoti Clayton.
Nëse zgjidhet, ish-nënpresidenti Biden thotë se do të vërë në zbatim kontrolle të përgjithshme për ata që duan të blejnë armë, si dhe ndalimin e armëve automatike, si dhe do të mbështesë ligje për sistem paralajmërues për t’u marrë armët individëve që konsiderohen të rrezikshëm për vetën apo të tjerët.
Ka nevojë për reforma, thotë ish-ligjvënësja Gabby Giffords, e cila u plagos rëndë nga një person i armatosur nëntë vjet më parë:
“Mund t’i lëmë këto incidente me armë të vazhdojnë, ose mund të hidhemi në veprim. Mund të mbrojmë familjet, të ardhmen, mund të votojmë. Mund të zgjedhim anën e duhur të historisë. Duhet të zgjedhim Jor Bidenin,” tha zonja Giffords.
Në një proces zgjedhor ku luhet me tema shumë të rëndësishme, analistët thonë se armët janë ndër shqetësimet kryesore:
“Ka disa tema që zënë një vend të rëndësishëm në mendjet e votuesve amerikanë dhe një ndër to është e drejta e armëmbajtjes. Ka plot votues që zgjedhin kandidatin bazuar mbi një temë të vetme dhe për shumë prej tyre është e drejta e armëmbajtjes,” thotë zoti Clayton.
Sipas qendrës kërkimore Pew që zhvilloi këtë muaj një anketë, 55% e votuesve thanë se politikat që ndikojnë tek e drejta e armëmbajtjes do të zënë një vend të rëndësishëm në zgjedhjet e 2020-ës.
Facebook Forum