Lidhje

Kosovë: Veteranët e UÇK-së kërkojnë ndryshimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme


Organizata e Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dorëzoi të premten grupeve parlamentare kërkesën për ndryshimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Në shkresën e kësaj organizate të mbështetur edhe nga një numër organizatash joqeveritare, kërkohet “amendamentimi i ligjit për Dhomat e Specializuara”, siç quhet Gjykata e Posaçme, që përmes këtyre ndryshimeve “do të plotësohet fushëveprimi i këtij ligji duke mos bërë dallime në trajtimin e pretendimeve të krimeve në baza etnike, si dhe garanton që dokumentet e kësaj gjykate do t’u takojnë arkivave të Republikës ashtu sikur thuhet në ligjet e funksionimit të këtyre Dhomave se janë pjesë e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe duhet t’i takojnë edhe historisë gjyqësore të shtetit tonë”.

Në propozimet e përfshira në kërkesë thuhet se “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar është që do të procedojë në mënyrë të pavarur, të paanshme, të drejtë dhe efikase edhe pretendimet për krimet e rënda të kryera gjatë luftës së Kosovës nga aparatura e shtetit serb, të policisë së Serbisë, të ushtrisë së Serbisë dhe forcave paramilitare serbe, të cilat krime janë në fushëveprimin e këtij ligji, të drejtës penale pozitive vendore dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Përveç ndryshimeve në ligjin e miratuar më 3 gusht të vitit 2015, organizata kërkon pos tjerash që “kjo Gjykatë të ketë edhe një dhomë përfaqësuese në Kosovë me seli dhe adresë të caktuar, siç e ka të hapur edhe në Serbi” dhe që “Organizatës së Veteranëve, t’i mundësohet me ligj, monitorimi i Zyrës për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të Akuzuarit Potencialë”.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua më 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 nga prokurorët e Dhomave të Specializuara ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të vitit 2018 udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, thanë të premten se “meqë nuk bën të ndodhë shfuqizimi”, kanë zgjedhur të kërkojnë ndryshimin e ligjit që do të siguronte një karakter gjithëpërfshirës të gjykatës.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se strategjia dhe kërkesa e veteranëve të luftës është e gabuar dhe e parealizueshme.

“Çdo plotësim ndryshim i ligjit kërkon 2/3 e votave të deputetëve, respektivisht së paku 80 vota për ndryshimin apo plotësimin e ligjit. Çdo ndryshim i ligjit pa pëlqimin e partnerëve ndërkombëtarë do të ishte vetëvrasje politike dhe diplomatike e Republikës së Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”, tha zoti Miftaraj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG