Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, paralajmëroi të mërkurën se politikanët që mbështesin shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme, do të përballen me pasoja të rënda.
Ai i bëri këto komente pak para mbledhjes së kryesisë së parlamentit të Kosovës që në rend dite kishte edhe nismën e 43 deputetëve për të shfuqizuar gjykatën që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë.
"Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat personale mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Dhe më lejoni të jem i qartë, deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë, përkundër mohimit të tyre, do të jenë subjekt i pasojave specifike dhe të ashpra, nëse nisma do të ketë sukses. Ata e dinë këtë, ua kemi thënë", tha ambasadori Delawie, në një paraqitje të mërkurën në Prishtinë, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithë çfarë është e mundur për t'u siguruar që gjykata të përmbushë mandatin e saj.
“Kosova ka luftuar më 1999 dhe ne kemi qëndruar pranë jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë. Askush nuk do të mundet ndonjëherë t’i rishkruajë librat e historisë për fushatën e krimeve mizore të Republikës Federale të Jugosllavisë, por realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve, për çka edhe duhet të japin llogari”, tha ai.
Shfuqizimi i ligjit për gjykatën, tha ambasadori amerikan, do ta kthente Kosovën shumë mbrapa dhe gjykata sipas tij, është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.
“Na intereson sepse Kosova nuk mund të jetë një vend ku mos ndëshkueshmëria është normë. Pranimi i një realiteti të tillë do të nënkuptonte kthim në epokën e stilit të udhëheqjes së Millosheviqit, të cilën një gjeneratë e qytetarëve të Kosovës luftoi për ta larguar. Na intereson Gjykata e Posaçme sepse duam ta shohim Kosovën duke zënë vendin që i takon si një shtet evropian duke iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.
Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin "dhomat e posaçme" do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.
Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. Ajo tha sot ambasadori amerikan do të trajtojë individët dhe "nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etnie".
Facebook Forum