Lidhje

Sekretari Pompeo nis turneun në Evropën Qendrore


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka filluar një turne njëjavor në Evropën Qendrore, ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me konkurrencës ekonomike dhe gjeopolitike ruse dhe kineze në Evropë.

Kryediplomati amerikan po shkon në Pragë dhe Pilsen në Republikën Çeke, Ljubjanë të Sllovenisë, Vienë të Austrisë dhe Varshavë të Polonisë nga 11 gushti deri më 15 gusht.

Zoti Pompeo do të jetë i pari Sekretar Shteti që nga viti 2011 që do të vizitojë Slloveninë, ku do të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët për teknologjinë 5G ndërsa Uashingtoni u kundërpërgjigjet sfidave që paraqet “depërtimi në rrjetet e teknologjisë së lartë” në rajon nga Kina komuniste.

Udhëtimi vjen ndërsa Pentagoni bëhet gati të zbatojë planin për tërheqjen e pothuajse 12 mijë trupave nga Gjermania dhe të vendosë një pjesë të trupave amerikane në Poloni dhe vende të tjera të NATO-s, duke ngjallur shqetësim brenda vendit dhe në Evrope, megjithëse zyrtarë të lartë amerikanë e mbrojnë një vendim të tillë si një nevojë strategjike.

Ambasadori Philip Reeker, ndihmës sekretari i shtetit në detyrë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, tha se zoti Pompeo do të diskutojë me homologët e tij për Marrëveshjen për Përmirësimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes SHBA-Poloni që “ofron një kornizë” për të fuqizuar më tej “sigurinë e gjerë transatlantike”.

Kjo marrëveshje mbrojtjeje, i jep mundësinë Shteteve të Bashkuara për “një prani me rotacion” të 1 mijë trupave për “të forcuar aftësinë frenuese kundër Rusisë, forcuar NATO-n”, dhe për të siguruar aleatët, thonë zyrtarët.

Rreth 4,500 forca amerikane janë ndërkohë në Poloni për shërbimin e radhës.

Siguria energjitike

Edhe siguria energjitike është në krye të temave të diskutimit të zotit Pompeo me udhëheqës të Evropës Qendrore, ndërsa naftësjellësi i debatueshëm rus “Nord Stream 2” që lidh Rusinë me Gjermaninë, pothuajse ka përfunduar.

"Kemi qenë shumë të përkushtuar të ndihmojmë ato vende të gjejnë burime alternative, që të mos varen vetëm nga Rusia”, tha ambasadori Reeker.

Rusia e ka mbrojtur projektin e vet si të leverdisshëm ekonomikisht.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar lidhur me rreziqet e sigurisë nga naftësjellësit rusë, veçanërisht “Nord Stream 2”. Zyrtarët amerikanë thanë se nëse kompletohen këto projekte do të minojnë sigurinë evropiane dhe fuqizojnë aftësinë e Rusisë për të përdorur burimet energjisë për të ushtruar presion ndaj partnerëve dhe aleatëve evropianë të Shteteve të Bashkuara.

Republikë Çeke

Në Pragë, zoti Pompeo do të takohet me kryeministrin çek, Andrej Babis për të diskutuar bashkëpunimin për energjinë bërthamore dhe Nismën e Tre Deteve, një platformë politike për të nxitur lidhjet mes vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke mbështetur projektet e infrastrukturës, energjisë dhe ato digjitale.

Nisma e merr emrin nga Deti Balltik, Deti i Zi dhe ai Adriatik që rrethojnë rajonin.

Të mërkurën zoti Pompeo do të mbajë një fjalim në Senatin e Parlamentit të Republikës Çeke për marrrëdhëniet dypalëshe dhe politikën e jashtme.

Slloveni

Në Ljubjanë, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo do të nënshkruajë një Deklaratë të Përbashkët bashkëpunimi për teknologjinë 5G me Ministrin e Jashtëm Slloven, Anže Logar.

Gjatë vitit të kaluar, vendet evropiane, përfshirë Poloninë, Estoninë dhe Republikën Çeke, kanë nënshkruar marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, duke premtuar që furnizuesit e pajisjeve 5G të mos i nënshtrohen kontrollit të një qeverie të huaj pa një shqyrtim të pavarur gjyqësor, i cili në mënyrë efektive përjashton firmat kineze.

Sllovenia do të bashkohet me ato vende në të ashtuquajturin "Rrjetet e Pastra 5G" për përdorimin e kompanive të besueshme për infrastrukturën kritike të telekomunikacionit, atë të ruajtjes dhe analizimit të të dhënave, si dhe për aplikacionet e telefonave celularë.

Zoti Reeker i tha Zërit të Amerikës se ky është "një reflektim i përkushtimit të përbashkët për mbrojtjen e privatësisë" dhe sigurinë kibernetike.

Austri

Në Vjenë, Partneriteti Strategjik SHBA-Austri dhe marrëdhëniet tregtare në rritje do të jenë në krye të axhendës së takimeve të Sekretarit Pompeo me kancelarin austriak Sebastian Kurz dhe Ministrin e Jashtëm Alexander Schallenberg.

Austria është selia e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit nga Irani të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore nga e cila Shtetet e Bashkuara janë tërhequr.

Sekretari Pompeo gjithashtu do të zhvillojë bisedime me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi, pasi Uashingtoni po u bën thirrje anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zgjatur me një afat të pacaktuar një embargo armësh ndaj Iranit që do të skadojë më 18 tetor.

Poloni

Në Varshavë, kryediplomati amerikan do të ketë bisedime me Kryeministrin Mateusz Morawiecki dhe Ministrin e Jashtëm Jacek Czaputowicz për thellimin e lidhjeve në fushën e mbrojtjes, rimëkëmbjen nga pandemia koronavirusit, sigurinë e rrjetit 5G, dhe përmirësimin e energjisë dhe infrastrukturës rajonale përmes Iniciativës Tre Detet.

Pompeo do të takohet gjithashtu me Presidentin Polak Andrzej Duda, i cili vizitoi Shtëpinë e Bardhë në fund të qershorit.

Polonia e sheh gazësjellësin “Nord Stream 2”, i cili do të dyfishonte kapacitetin e eksportit të gazit të Rusisë përmes Detit Baltik, si një kërcënim për sigurinë energjetike të Evropës.

"Sipas pikëpamjes sonë, ky është një përdorim i parave evropiane për të blerë armët e zotit (Vladimir) Putin, dhe neve kjo nuk na pëlqen", tha zoti Morawiecki gjatë një diskutimi të fundit online të organizuar nga Këshilli Atlantik.

Zoti Morawiecki tha se Polonia, si "vendi më pro-evropian dhe më pro-Amerikan" në Evropë, është duke forcuar aleancën transatlantike.

Muajin e kaluar, Departamenti i Shtetit tha se njerëzit që bëjnë investime ose përfshihen në aktivitete në lidhje me gazsjellësin “Nord Stream 2”, përfshirë anijet që përdoren për instalimin e tubacioneve dhe shërbimet inxhinierike në dislokimin e tubacioneve, mund të përballen me sanksione amerikane.

"Është një paralajmërim i qartë për kompanitë se ndihma dhe forcimi i projekteve me ndikim keqdashës të Rusisë nuk do të tolerohet", tha Sekretari Pompeo gjatë një konference shtypi më 15 korrik.

"Më lejoni të jem i qartë. Këto nuk janë projekte tregtare. Ato janë mjetet kryesore të Kremlinit për të shfrytëzuar dhe zgjeruar varësinë evropiane nga furnizimet e energjisë ruse", tha Sekretari Pompeo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG