Lidhje

Esper paralajmëron përgjysmimin e trupave në Afganistan deri në nëntor


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha se trupat amerikane në Afganistan do të reduktohen në "më pak se 5 mijë vetë" deri në fund të muajit nëntor.

Komentin mbi këtë çështje shefi i mbrojtjes e bëri gjatë një interviste të transmetuar të shtunën në "Fox News". Më herët gjatë javës së kaluar Presidenti Donald Trump tha në një intervistë me "Axios" se ai do të donte të shihte që trupat amerikane në Afganistan të reduktoheshin diku tek 4 apo 5 mijë vetë nga rreth 8,600 që janë aktualisht.

Lajmi rreth planeve për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane vjen ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të nisur negociatat mes talebanëve dhe zyrtarëve afganë për t'i dhënë fund luftimeve prej dekadash në vendin e shkatërruar nga lufta.

Ndërkohë Asambleja e madhe e Afganistanit e quajtur Loya Jirga, një organ legjislativ i vendit, miratoi lirimin e 400 të burgosurve talebanë të dielën, duke krijuar kushte për të filluar bisedimet e paqes.

"Me qëllimin për të hequr një pengesë, për të filluar procesin e paqes dhe për t'i dhënë fund gjakderdhjes, Loya Jirga miratoi lirimin e 400 talebanëve", thuhet në rezolutën e asamblesë.

Loya Jirga u thirr në seancë të premten në kryeqytetin e vendit Kabul, për të diskutuar lirimin e të burgosurve talebanë, përpara bisedimeve të paqes. Deri tani qeveria afgane ka liruar rreth 5 mijë të burgosur talebanë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG