Lidhje

SHBA, pandemia godet më rëndë pakicat me ngjyrë 


Ritmet aktuale të papunësisë kanë arritur në 13%, sipas Zyrës së Statistikave të Punësimit. Megjithëse kërkesat për asistencë papunësie kanë rënë gjatë javëve të fundit dhe disa shtete kanë hyrë në fazën e dytë të rihapjes, papunësia mbetet në nivele rekord sidomos në radhët e pakicave me ngyrë.

Për Gary Connell ishte vendim i rrezikshëm kur hapi një salon bukurie pranë Uashingtonit në muajin mars.

Biznesi sapo kishte filluar aktivitetin kur hynë në fuqi urdhrat për izolim në shtëpi si rezultat i pandemisë.

Megjithëse ai e rihapi sallonin në fillim të qershorit, ai thotë se problemet ekonomike do të duan kohë të zgjidhen.

"Jam prapa për dy muaj e gjysmë në pagesën e qerasë. Po ashtu me faturën e telefonit. Çdo gjë është së prapthi,” thotë zoti Connell.

Pandemia ka ndikuar më rendë tek popullatat pakicë.

"Në radhët e afrikano-amerikanëve dhe hispanikëve ka ritme më të larta papësie; në radhët e të bardhëve, papunësia është më e ulët,” thotë analisti Mark Hamrick.

Bizenset afrikano-amerikane janë goditur shumë rëndë pasi aktiviteti në këto biznese ka rënë 41%, sipas Zyrës për Kërkime Ekonomike.

Alphonzo Cross është bashkë-pronar i një bari të ri në Atlanta. Që nga mesi i marsit, lokali ka qenë i mbyllur.

"Aktualisht problemi i COVID-it ka prekur rëndë komunitetet afrikano-amerikane, pasi ato që në fillim janë në dizavantazh. Ato operojnë në lagje më të varfra të qytetit, gjë që e bën më të madh rrezikun për falimentim në kohë krizash,” thotë zoti Cross.

Ekspertët thonë se pandemia ka nxerrë qartë në pah hendekun racor.

"Bizneset afrikano-amerikane i gjeti pandemia më të vogla, me kapital më të kufizuar, me më pak rezerva në para, prandaj edhe më të papërgatitura për këtë stuhi,” thotë aktivisti Marc Morial.

Në radhët e latino-amerikanëve ritmet e papunësisë kanë arritur në 18%, sipas statistikave qeveritare. Këto janë ritmet më të larta për çdo grup.

"Nuk kemi para, nuk kemi ushqim. Kemi ardhur në shoqatë bamirëse për ushqime,” thotë banorja Anna Perez.

"Nuk kam marrë pagesë që në fund të marsit. Po mundohem të mbijetoj,” thotë Claudia Alejandra Lugo, e papunë në Florida.

Një numër shtetesh po rihapin ekonominë, duke u krijuar mundësi bizneseve të hapin vende pune. Por ekspertët thonë se rimëkëmbja do të dojë kohë.

"Ky është problem social me ndikim të konsiderueshëm. Këto statistika tregojnë ritme papunësie në shifra të paimagjinueshme. Zyrtarët do të duhet të marrin masa të reja,” thotë analisti Mark Hamrick.

Për momentin, thotë biznesmeni Gary Connell, po përpiqen të tregohen të duruar me sa munden.

"Si biznesmenë duhet të jemi të duruar. Të duruar dhe të ruajmë besimin,” thotë zoti Connell.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG