Noha, një inxhiniere nga Egjipti, duhet të ndihej me fat pasi fitoi llotarinë amerikane të vizave që zgjedh rastësisht njerëz nga një grup prej më shumë se 14 milionë aplikantësh, për 55,000 karta jeshile që i lejon fituesit të jetojnë përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara.
Por shpresat që ajo dhe bashkëshorti i saj të lëviznin me dy fëmijët e tyre në Nju Jork, u shuan javën e kaluar kur Presidenti Donald Trump zgjati një ndalim për aplikimet e kartave jeshile të lëshuara jashtë Shteteve të Bashkuara deri në fund të vitit, përfshirë këtu edhe "vizat e lotarisë së diversitetit" të cilat janë lëshuar çdo vit që nga viti 1990 për njerëzit nga vendet e përfaqësuara më pak në Shtetet e Bashkuara.
Fituesit e këtij viti mësuan për fatin e tyre të mirë rreth një vit më parë, por shumë nuk kishin përfunduar ende procesin e verifikimit të dokumentacionit kur konsullatat amerikane u mbyllën në mars për shkak të pandemisë së koronavirusit. Tani, hapi i fundit i administratës për të zvogëluar imigracionin e ligjshëm ka përmbysur planet e tyre, dhe shumë e shohin veten të mbërthyer në një situatë edhe më të keqe nga ajo që po përpiqeshin të shpëtonin.
Sipas rregullave të lotarisë kartat jeshile duhet të merren deri më 30 shtator ose ato do të anulohen. Departamenti i Shtetit thotë se nuk ka përjashtime për ata që nuk e kanë marrë ende.
Noha dhe fëmijët e saj morën vizat në shkurt. Por bashkëshorti i saj, Ahmed, është ende në pritje dhe familja ka frikë se viza e tij nuk do të lëshohet kurrë.
Situata e ka detyruar Nohën të bëjë një zgjedhje të pamundur mes shkuarjes vetëm në Nju Jork për të kërkuar një jetë më të mirë për vajzën 7-vjeçare dhe djalin 9-vjeçar, dhe heqjes dorë nga kjo ëndërr, në mënyrë që familja të mund të qëndrojë së bashku. Ajo thotë u zemërua dhe qau me ditë të tëra pasi mësoi për urdhrin e Trumpit.
"Të gjitha planet e mia u rrëzuan brenda një çasti," thotë Noha, e cila foli me kusht që mbiemri i saj të mos përdorej nga frika se të folurit publikisht mund të dëmtojë çështjen e familjes së saj.
Është hera e parë që programi i vizave është ndërprerë që kur u krijua për të tërhequr emigrantë nga vende të ndryshme. Avokatët e imigracionit në Sh.B.A po mendojnë ta sfidojnë vendimin e presidentit Trump në gjykatë.
Vetëm 13,000 nga afro 55,000 viza lotarie janë lëshuar deri tani këtë vit, thotë Simon Paul, një përfitues i vizave të diversitetit që tani drejton një blog për të ndihmuar emigrantët e tjerë (britsimon.com). Edhe ata që kanë marrë vizë e kanë të vështirë të vijnë në Sh.B.A për shkak të kufizimeve të udhëtimit nga pandemia.
Familja e Nohas harxhoi afro 10,000 dollarë gjatë procesit të verifikimit të dokumentave.
Pasi u njoftua nga një zyrtar amerikan në shkurt se e gjithë familja ishte miratuar, çifti filloi të bënte plane për jetën e tyre të re. Noha dhe burri i saj, gjithashtu një inxhinier, dhanë dorëheqjen nga punët e tyre, shitën makinën e tyre, njoftuan pronarin e tyre qse po lëviznin dhe ndaluan pagesat për shkollimin e fëmijëve të tyre për vitin e ardhshëm.
Në maj, ambasada i tha bashkëshortit të saj se viza e tij thjesht duhej të shtypej, kështu që ata "madje bënë gati edhe çantat". Fëmijët e saj panë video në YouTube për jetën në SH.B.A.
Administrata ndaloi dhënien e vizave si pjesë e përpjekjeve për të liruar vendet e punës në ekonominë e mbërthyer nga koronavirusi - një arsye që presidenti e ka përdorur për të arritur shumë nga shkurtimet në imigracionin e ligjshëm që synonte para pandemisë. Masa e presidentit vlen edhe për aplikantët e tjerë të kartave jeshile dhe për njerëzit që kërkojnë viza të përkohshme të punës në kompani të teknologjisë së lartë, kampe verore dhe korporata shumëkombëshe.
Shumë kohë para pandemisë, presidenti Trump kritikoi lotarinë, duke pohuar pa të drejtë se ishte “një shfaqje tmerri” sepse vendet fusnin në të “disa njerëz shumë të këqinj”.
Qeveria amerikane drejton programin, dhe qytetarët e vendeve kualifikuese janë ata që vendosin të hyjnë në lotarinë e vizave. Qeveritë e huaja nuk zgjedhin se kush aplikon apo kush merr vizë.
Aplikantët duhet të kenë mbaruar shkollën e mesme ose të kenë përvojë dy vjeçare në një numër fushash të identifikuara nga Departamenti amerikan i Punës. Fituesit nuk duhet të kenë një precedent penal, dhe duhet të kenë një sponsorizues amerikan të gatshëm dhe të aftë t'i mbështesë ata derisa të vendosen. Më shumë se 80,000 aplikantë u shpallën fitues, kështu që ata u detyruan të garojnë kundër njëri-tjetrit për të marrë vizat në dispozicion.
Dhjetra fitues të vitit 2020 kontaktuan agjencinë Associated Press në përgjigje të një kërkese për të treguar historitë e tyre. Shumë janë të mirë arsimuar, por kanë pengesa për shkak të mungesës së mundësive në vendet e tyre.
Në mesin e të përzgjedhurve këtë vit ishin një mjek i sëmundjeve infektive, një inxhinier agronomie, një zhvillues i programeve kompjuterike, një studiues pas doktoratës, një afariste dhe një mësues i shkollës së mesme. Ata vijnë, mes të tjerash nga Egjipti, Turqia dhe Shqipëria.
Mahmoud Elrweny, i cili punon si menaxher prodhimi në kompaninë Hershey në Memfis të Tenesisë, tha se ai ishte i ngazëllyer kur dëgjoi se lotaria i kishte rënë të vëllait e që do ta lejonte të bashkohej me të në SH.B.A.
Papunësia e lartë në Egjipt e kishte detyruar vëllain e tij të shkonte në Arabinë Saudite, ku ai jepte mësim, megjithëse nuk dëshironte të qëndronte atje pasi ka dy vajza dhe mendonte se si gra, ato do të kufizoheshin në atë vend.
Vëllai i tij duhej të bënte intervistën e vizave në vendin e tij të lindjes. Pesë ditë pasi arriti në Egjipt, ambasada amerikane e anuloi intervistën, dhe më pas presidenti Trump lëshoi urdhrin. Shkolla e tij në Arabinë Saudite e pushoi nga puna për largimin dhe nuk pranoi t'i jepte pagesën e fundit. Arabia Saudite anuloi vizën e tij për t'u rikthyer. Ai gjithashtu la atje makinën e tij.
Ai dhe gruaja e tij tani janë të dy të papunë në Egjipt.
Elrweny dëshiron ta ndihmojë të vëllanë, por nuk di se si.
"Jam vërtet i stresuar dhe i dëshpëruar," tha ai. "Ëndrra e tij ishte të vinte në Amerikë".
Lotaria i ndryshoi jetën Alma Mandijas në vitin 1997, kur vendi i saj Shqipëria u përfshi nga trazirat civile që rezultuan në rrëzimin e qeverisë dhe vdekjen e më shumë se 2,000 njerëzve.
"Gjendja ishte shumë e pasigurtë," thotë ajo. Viza i lejoi asaj të shkonte në kolegj. Ajo u bë avokate imigracioni në Nju Jork.
Kushëriri i saj, Eldis Bushati, ishte ndër fituesit e këtij viti, pasi ishte përpjekur për 16 vjet. Mandija dhe prindërit e saj ranë dakord ta mbështesin atë, gruan e tij dhe vajzën 3-vjeçare dhe gjetën disa kompani në Nju Jork që shprehën interes për ta punësuar si hidraulik.
Bushati, 31 vjeç, ishte në pritje të zyrtarëve amerikanë për t'i dërguar me email datën e intervistës, kur presidenti Trump urdhëroi ndalimin. Ai është ende duke shpresuar.
“Koha do të kalojë shpejt. Virusi do të jetë larg, dhe ne do ta përfundojmë këtë proces dhe së shpejti do të jemi në Amerikë", thotë ai.
Nataly Savenkova, 27 vjeç, e cila punon në degën ruse të një banke amerikane, nuk i mbajti shpresat në asgjë. Ajo mori kartën e saj jeshile në janar dhe vendosi të transferohej në Sh.B.A. edhe pse bashkëshorti i saj nuk e ka marrë ende vizën e tij.
Çifti kishin shpresuar të ndërtonte një "të ardhme të re dhe të lumtur së bashku". Por tani "fati dhe lumturia duken si një fatkeqësi totale," shkroi Savenkova në një email për agjencinë AP.
Noha kishte aspirata të ngjashme për familjen e saj.
"E gjithë kjo ishte për të ardhmen e fëmijëve tanë", tha ajo, duke luftuar të mbante lotët, ndërsa fliste jashtë shtëpisë së saj në Kajro."Tani nuk dimë çfarë të bëjmë", thotë ajo.
Facebook Forum