Lidhje

A ishte informuar presidenti Trump nga bashkësia e zbulimit amerikan?


Ligjvënësit amerikanë bënë thirrje për një hetim të menjëhershëm të hënën lidhur me njoftimet në media se Rusia u kishte ofruar pagesa militantëve të mbështetur nga talebanët, për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan. Shtëpia e Bardhë mohoi njoftimet se Presidenti Donald Trump ishte informuar për këto pagesa, duke thënë se ato nuk ishin verifikuar plotësisht nga bashkësia e zbulimit amerikanë.

Sipas një artikulli të gazetës Nju Jork Tajms, një njësi ushtarake ruse u ofroi para militantëve të mbështetur nga Talibani si shpërblim për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan – ky informacion i komunitetit amerikan të zbulimit iu përcoll Presidentit Trump.

Shtëpia e Bardhë e quajti të rremë njoftimin e Tajmsit.

"Nuk kishte një konsensus mes bashkësisë së zbulimit, në fakt kishte mendime kundërshtuese brenda komunitetit dhe ato nuk do të përcilleshin tek presidenti derisa të verifikoheshin", tha sekretarja e shtypit, Kazleigh McEnany.

Kjo pason mohimin të dielën nga Presidenti në Twitter për çdo njohuri mbi këtë informacion të zbulimit - një pozicion që demokratët e Senatit thonë se është i pafalshëm.

"Presidenti Trump, je i humbur gjithsesi. Nëse nuk jeni informuar për këtë raport të rëndësishëm, si mund të drejtoni një administratë kur diçka kaq e rëndësishme nuk është përcjellë në nivelin tuaj? Dhe nëse jeni informuar për raportin dhe nuk keni bërë asgjë kjo është edhe më keq. Turp të kesh. Turp të kesh", tha senatori Chuck Schumer.

Republikanët e Kongresit po kërkojnë të dinë gjithashtu përse presidenti nuk u informua ... dhe i bën thirrje presidenti Trump që të shqyrtonte pretendimet me seriozitet. Demokratët thanë se kjo është një tjetër provë se presidenti Trump nuk është i ashpër sa duhet ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

"Presidenti po thotë se nuk kishte dijeni, por nuk po shohim ndonjë zemërim prej tij, se nuk ishte informuar. Ku janë pyetjet dhe kërkesa e tij për informacion? Është një shembull tjetër i kësaj kapje të pazakontë që Putini ka ndaj këtij presidenti", tha ligjvënësja demokrate Katherine Clark.

Shtëpia e Bardhë po e kundërshton këtë kritikë.

"Ky president ka qenë jashtëzakonisht i ashpër ndaj Rusisë, duke vendosur sanksione ndaj qindra individëve rusë, duke dëbuar dhjetëra diplomatë, duke mbyllur dy konsullata ruse, duke u tërhequr nga një traktat bërthamor dhe disa veprime të tjera", tha sekretarja McEnany.

Rusia dhe Talibanët kanë mohuar ofrimin e pagesave - por raporti i Nju Jork Tajmsit u konfirmua nga inteligjenca britanike. Schumer dhe kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi u kanë bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Kongresit që të marrin një informacion të plotë për zbulimin dhe sa ishte në dijeni presidenti për këtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG