Lidhje

Veseli: Publikimi i akuzës - veprim me motive politike


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha të mërkurën se publikimi i njoftimit të Prokurorisë së Posaçme me seli në Hagë për ngritjen e akuzës ndaj tij dhe presidentit Hashim Thaçi është veprim politik.


Në një konferencë më gazetarë në orët e mbrëmjes ai tha se publikimi i njoftimit ishte "veprim i pashembullt dhe i padrejtë".

"Në një veprim të paprecedentë, prokurori ka lëshuar deklaratën para se gjykata t'i konfirmoj ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon. Në këtë deklaratë prokurori përpiqet ta arsyetoj vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm duke pretenduar se unë dhe presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara. Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë po ashtu nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës dhe është shqetësim gjuha e tillë e adresimit me të pavërteta", tha ai

Zoti Veseli ngriti pikëpyetje edhe për motivet e veprimit të prokurorisë.

"Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij prokurori janë krejtësisht politike. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi. As një prokuror, asnjëherë, nuk do të duhej të lejonte që vendimet e tij të udhëhiqen nga motivet politike", tha ai.

Ai tha se me këtë qasje "prokurori paralajmëroi se nuk mund të jetë i besueshëm për të ndarë drejtësi të paanshme dhe të pandikuar" nga politika.

"Ai po përpiqet që përmes deklaratave kundërthënëse të mbuloj motivet e vërteta që duket se janë politike. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se nuk do të lejoj që ky prokuror dhe asnjë tjetër si ai të njollos në këtë mënyrë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës", tha zoti Veseli duke nënvizuar se "deklarata e prokurorit është përpjekje për të rishkruar historinë".

Ai mohoi siç tha "çdo përfshirje në ndonjë veprimtari kriminale".

Zoti Veseli është intervistuar në Prokurorinë e Posaçme në Hagë në dhjetor të vitit të kaluar.

Një nga udhëheqësit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, zoti Veseli ishte një nga zyrtarët më të lartë të thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tash janë paraqitur mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 19 korrik, atje qe thirrur edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG