Lidhje

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë në zonat me popullsi serbe në Kosovë


Zgjedhjet për parlamentin e Serbisë në zonat me shumicë serbe në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:42 0:00

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë po mbahen të dielën edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, mes debateve të partive politike shqiptare rreth lejimit të tyre dhe shqetësimeve për shkak të pandemisë së COVID-19. Votat që do të hidhen në kutitë e votimit do të grumbullohen nga misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, një praktikë që është zbatuar edhe në të kaluarën. Hollësi sjell kronika e korrespondentes sonë, Edlira Bllaca.

Zgjedhjet për parlamentin e Serbisë në zonat me shumicë serbe në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:42 0:00

Në pjesën veriore të Mitrovicës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiç, i cili deri tani ishte edhe kryetar i kësaj komune tha se vota e sotme e qytetarëve serbë, është votë mbijetese.

“Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe sipas të dhënave që i kam gjithçka është duke shkuar më mënyrën më të mirë. Dalja herët në votime është tregues i mirë që dita e sotme është ditë e demokracisë dhe thërras të gjithë njerëzit që të dalin sa më shumë dhe të ja japin votën kandidatit të tyre sepse kjo është mënyra ta ruajmë veten dhe të mbijetojmë në këto troje”, tha zoti Rakiç.

Banorët e kësaj pjese besojnë se qeveria e re do të sjellë ndryshime pozitive në jetën e tyre.

“Kemi votuar për një të ardhme më të mirë të popujve, për një përparim më të mirë në Kosovë dhe për popullin në Serbi, për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë. Në përgjithësi për popullin serb dhe atë shqiptar. Mendoj që zgjedhjet këtu dhe në pjesën tjetër që tashmë përfaqësohen nga zoti Hoti dhe zoti Thaci, do të sjellin përfundimisht një vendim të drejtë për banorët e Koosovës dhe Serbisë”, tha një banor i Veriut të Mitrovicës.

“Mendoj që qeveria e re do të ketë detyra të vështira por do të shohim se çka do të ndodhë në fund”, tha një votuese.

“Kemi dalur sepse e kemi detyrim qytetar dhe presim që të zgjidhet situata në Kosovë, që të jetë si është më së miri. Mirë ka vijuar procesi tash do ta shohim se si do të vazhdoj. Presim të gjitha të mirat”, tha një banor tjetër.

Zgjedhjet po mbahen në periudhë pandemie dhe kjo ka nxitur shqetësime për mundësine zgjerimit të infektimeve.

Shefi i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Jan Brathu, gjatë vizitës në qendrën e grumbullimit të votave në fshatin Prilluzhë të komunës së Vushtrrisë, i tha Zërit të Amerikës se të gjitha përgatitjet për këto zgjedhje janë bërë duke respektuar masat kundër koronavirusit.

“Kjo është sfiduese, ne vazhdimisht u kërkojmë njerzve të mbajnë distancë por ne nuk jemi polici, pra kjo mendoj është pak problematike. Në anën tjetër nëse shohim në Prishtinë ta zëmë në kafene dhe qendra tregtare shohim të njejtën gjë se njerëzit nuk po mbajnë distancën. Përafërsisht 500 njerëz janë të angazhuar në këtë proces, të gjithë të njohur për ne dhe të trajnuar për procedura të tilla”, tha ai.

Që nga përfundimi i luftës, autoritetet në Kosovë kanë lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në komunat më shumicë serbe. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë edhe kësaj radhe do të grumbullojë votat dhe më pas t’i dërgoj në Serbi për numërim.

Votimet e sotme të serbëve të Kosovës nxitën debatet e zakonshme në raste të tilla ndërmjet pushtetit që thekson se kjo është një praktikë e zbatuar edhe në të kaluarën dhe një pjese të opozitës e cila thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe ishte shkelje mbi sovranitetin e Kosovës, të cilin Serbia nuk e njeh.

Udhëheqësit e të dyja vendeve pritet të takohen të shtunën e javës tjetër në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet e paqes, Richard Grenell, ndërsa gjatë korrikut priten raunde të reja bisedimesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në përpjekje për të arritur një marrëveshje normalizimi që është kusht për proceset integruese për të dyja palët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG