Lidhje

Thirrjet për heqjen e fondeve për policinë


Sllogani "Defund the Police" shfaqet në rrugën ku është vizatuar emri i lëvizjes "Black Lives Matter" në Uashington
Sllogani "Defund the Police" shfaqet në rrugën ku është vizatuar emri i lëvizjes "Black Lives Matter" në Uashington

Protestuesit po bëjnë thirrje për heqjen e fondeve për policinë, për shkak të vdekjes së George Floyd-it dhe afrikano-amerikanëve të tjerë ndërsa mbaheshin nga oficerët e zbatimit të ligjit. Ata thonë se ka ardhur koha që vendi të përballet me problemet në polici dhe të investojë më shumë në çështje si strehimi dhe arsimi.

Kërkesa e protestuesve është shndërruar në një thirrje të madhe, por edhe në një mjet sulmi që Presidenti Donald Trump do ta përdorë ndaj demokratëve ndërsa ai i portretizon ata si të butë ndaj krimit.

Përkrahësit thonë se nuk bëhet fjalë për eleminimin e departamenteve të policisë ose heqjen e të gjithë buxhetit të agjencive. Ata thonë se është koha që vendi të trajtojë problemet në polici dhe të shpenzojë më shumë në fusha që i duhen komuniteteve.

"Ne e kemi parë këtë me krizën e opioideve", thotë profesori i Shkollës së Drejtësisë të Universitetit Howard, Justin Hansford. "U krijuan përgjigje të bazuara jo tek policia ndaj krizës së opioideve, për shkak të kategorive që u ndikuan nga kjo. U gjetën mënyra për ta bërë atë një çështje të shëndetit publik, dhe jo një çështje policimi".

Presidenti Donald Trump dhe fushata e tij elektorale e shohin shfaqjen e slloganit "Defund the Police" ("hiqini fondet policisë") si një shkëndijë mundësie të shfaqur gjatë një momenti sprove politike. Përgjigja e Presidentit Trump ndaj protestave është kritikuar gjerësisht. Por tani mbështetësit e tij thonë se sllogani i ri mund t'i bëjë votuesit, të cilët mund të kishin qenë simpatizantë të protestuesve, t'i largohen një ideje "radikale".

Ekspertët e drejtësisë penale thonë se ka mënyra për të zvogëluar të paktën buxhetet për zbatimin e ligjit në disa qytete të mëdha

"Duhen bërë pyetje shumë të vështira në lidhje me buxhetin tuaj lokal, shtetëror dhe të sigurisë publike", thotë profesorja e Qendrës Juridike të Universitetit Georgetown, Christy Lopez. "Pse po caktojmë kaq shumë fonde të tilla? Kush i negocioi kontratat me sindikatat (e policëve)?".

Në qytetin e Nju Jorkut, kryetari i bashkisë Bill de Blasio tha të dielën se qyteti do të transferojë fondet nga departamenti i policisë së Nju Jorkut drejt nismave rinore dhe shërbimeve sociale, duke e ruajtur ndërkohë edhe sigurinë në qytet. Por, ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Në Los Anxheles, kryetari i bashkisë Eric Garcetti u zotua të ulë deri në 150 milionë dollarë fonde që do të ishin pjesë e një rritjeje të planifikuar në buxhetin e departamentit të policisë.

Një anëtar i këshillit të qytetit Minneapolis u shpreh në Twitter të enjten se qyteti "do të rishikojë në mënyrë rrënjësore përqasjen ndaj sigurisë publike dhe shërbimeve të urgjencës".

Presidenti Trump u shpreh se: "Nuk do të ketë heqje të fondeve. Nuk do të bëhet çmontimi i policisë sonë. Nuk do të ketë ndonjë shpërndarje të policisë sonë".

"Jo, nuk e mbështes heqjen e fondeve për policinë", i tha të hënën ish-Nënpresidenti Joe Biden kanalit CBS News. "Unë mbështes kushtëzimin e ndihmës federale për policinë bazuar në faktin nëse ata përmbushin apo jo disa standarde themelore të vendosmërisë dhe ndershmërisë dhe, dhe në fakt janë në gjendje të demonstrojnë se mund të mbrojnë komunitetin".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG