Në Kosovë, ceremonitë me rastin e kremtimit të Pashkëve po zhvillohen pa praninë e besimtarëve për shkak të drojës nga zgjerimi i COVID-19 që deri tani ka prekur 283 veta. Nga mbrëmë edhe Prishtina është futur nën karantinë bashkë më disa qytete të tjera, ndërsa urimet për Pashkët po përshkohen nga thirrjet për kujdes e bashkim në kohë pandemie. Nga Prishtina njofton korrespondentja jonë, Edlira Bllaca.
Katedralja Shën Tereza në Prishtinë ishte pothuajse e zbrazët të shtunën ndërsa po mbahej mesha e ringjalljes.
Pashkët këtë vit po kremtohen në shtëpi për shkak të masave për pengimin e zgjerimit të koronavirusit nga i cili në Kosovë deri të shtunën mbrëma janë konfirmuar si të prekur 283 persona, shtatë prej të cilëve 7 veta kanë ndërruar jetë.
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, derisa po drejtonte meshën pa praninë e beismtarëve, ngushëlloi të gjithë familjarët e atyre që kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi.
“Kurse të gjithë të tjerëve, e lus Zotin të na shtojë durimin, të na mundësojë të reflektojmë dhe të dalim nga kjo situatë sa më shpejt e sa më mirë. Për shumë mot Pashkët”, tha ai.
Imzot Dodë Gjergji duke uruar besimtarët për këtë festë tha se tash më shumë se kurrë është koha e bashkimit e paqes në mes të njerëzve.
“Tani është koha e reflektimit të madh, që edhe një herë t’i kthehemi pajtimit, unitetit, të mirës, të përbashktës dhe miqve edhe atë me dashuri, duresë, urtësi dhe vetëmohim duke kërkuar te njëri tjetri të mirën, sepse të keqen nuk kemi nevojë ta kërkojmë, ajo e çon kokën vet dhe shihet”, tha ai.
Urimet për Pashkë nga udhëheqës politikë e fetarë po përshkohen me thirrje qytetarëve që të kremotjnë në shtëpi sipas udhëzimeve të autoriteteve të cilat vunën nën karantinë Prishtinën pas konfirmimit të 20 rasteve të reja të të të infektuarve të shtunën në kryeqytet.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia vendosi shpalljen “zonë karantinë” edhe për qytetin e Ferizajt dhe komunën e Suharekës.
Zona të tilla tashmë janë shpallur komuna e Malishevës që është me numrin më të madh të të infektuarve si dhe komunat veriore të Mitrovicës dhe Zveçanit.
Në gjithë Kosovën deri tash 58 persona janë shpallur të shëruar.
Facebook Forum