Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është të paktën 4076, sipas zyrtarëve të shëndetësisë. Guvernatori i Nju Jorkut tha të martën se numri i viktimave në këtë shtet vazhdon të rritet. Sipas, tij të martën numri i viktimave nga koronavirusi arriti në mbi 1,500. Edhe vëllai i tij, gazetari i rrjetit CNN, Chris Cuomo njoftoi se ka rezultuar pozitiv me Coivd-19.
Shtetet e Bashkuara kanë 190 mijë të prekur, numri më i lartë i të infektuarve në mbarë botën ku janë regjistruar mbi 857,000 raste.
Epiqendra është Nju Jorku me rreth 75 mijë raste infeksionesh të konfirmuara dhe rreth një të tretën e vdekjeve në vend.
Në konferencën e përditshme për shtyp për gjendjen në vend, Presidenti Donald Trump njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara kanë kryer teste për koronavirus tek një milion amerikanë.
Ritmet e testimit janë shumë të rëndësishme për strategjinë e identifikimit, izolimit dhe kurimit të pacientëve me koronavirus në mënyrë që të vihet nën kontroll epidemia.
“Sot arritëm një moment historik në luftën tonë kundër koronavirusit. Më shumë se 1 milion amerikanë janë testuar, më shumë se çdo vend tjetër deri tani. Askush nuk mund të krahasohet,” tha presidenti në koferencën e përditshme për shtyp në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.
Të djelën presidenti deklaroi një zgjatje deri më 30 prill të afatit të masave kundër përhapjes së sëmundjes. Ekspertët shpresojnë se deri më 30 prill me shtimin e ritmit të testimeve, të mund të identifikojnë dhe izolojnë individë të infektuar dhe përmes masave të distancimit social të pengojnë transferimin e virusit tek persona të tjerë.
Ndërkohë në shtetet e goditura më rëndë janë vënë në lëvizje një numër masash për të vënë nën kontroll situatën kritike. Anija spitalore Comfort e marinës amerikane lundroi për në portin e Nju Jorkut herët të hënën, duke sjellë shpresë dhe lehtësim në qytetin prej 8.6 milion banorësh, i cili është bërë epiqendra e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.
Anija e bardhë e zbukuruar me kryqe të kuqë ka 1.000 shtretër dhe 12 salla operimi. Personeli i tij mjekësor do të kujdeset për pacientët jo me virus në përpjekje për të zhvendosur një pjesë të barrës nga spitalet e mbingarkuara të qytetit, të cilat janë të përqendruar në trajtimin e rasteve emergjente.
"Ndjenja e pranisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara këtu thjesht më dha shpresë se gjërat do të jenë në rregull," u tha kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio gazetarëve në skelën ku u ankorua anija. "Kjo anije është kaq mbresëlënëse. Ajo është në portin tonë si një fener shprese. "
Comfort lundroi nga Norfolk, Virxhinia, ku duhej t'i nënshtrohej disa proceseve të mirëmbajtjes para se të nisej për në Nju Jork. Porti i qytetit gjithashtu duhej të krijonte hapësirë për të lejuar që anija të ankohej. Zyrtarët thanë se anija pritet të fillojë të pranojë pacientë menjëherë.
Në një konferencë shtypi të dielën mbrëma, Presidenti Donald Trump e zgjati deri më 30 prill afatin për zbatimin e udhëzimeve të distancimit social. Ai tha se piku i vdekjeve në SHBA me gjasë do të arrijë pas dy javësh, por theksoi se shpreson që vendi të hyjë në rrugën e rimëkëmbjes nga koronavirusi përpara 1 qershorit.
Presidenti akuzoi spitalet se po grumbullojnë respiratorë, për të cilët kërkesa është mjaft e madhe. Ai tha se çdo spital që nuk i përdor respiratorët duhet t’i dorëzojë ato.
Pak ditë më parë Presidenti Trump përdori fuqitë e emergjencës për t’i kërkuar firmës General Motors të prodhojë respiratorë për pacientët e koronavirusit, pasi e kishte akuzuar më parë këtë kompani se po harxhonte kohën me negociata.
Dje, ai shprehu më tepër optimizëm për firmën General Motors, duke thënë se ajo po punon fort. Administrata e tij është nën presion për të shtuar prodhimin e respiratorëve, që janë me rëndësi kritike për të shpëtuar pacientët me komplikacione nga koronavirusi.
Facebook Forum