Prindërit, studentët dhe universitetet në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit po përballen me vështirësi për shkak të mbylljeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Studentëve amerikanë dhe atyre të huaj po u kërkohet që të kthehen në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur. Një pjese të këtyre studentëve po u kërkohet që të marrin gjërat e tyre me vete dhe t’i lënë bosh dhomat e tyre.
"Të gjithë janë në panik," tha punonjësi i një universiteti të njohur në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Lista e shkollave të mbyllura, që para tre javësh ishte e vogël, tani është zgjeruar me shumë të tjera, përfshirë universitetet shtetërore të Kalifornisë, Nju Jorkut, Universiteti i Kolumbias, Universieti Shtetëror i Pensilvanisë dhe kolegje e universitete në të gjithë vendin që kanë një numër të madh të studentëve të huaj dhe programe studimi jashtë vendit.
Mbyllja e kampuseve dhe zhvillimi i programit mësimor përmes internetit në Shtetet e Bashkuara pason mbylljen e programeve universitare të studimeve jashtë vendit gjatë tre javëve të fundit, veçanërisht në Itali, destinacioni i dytë më i preferuar i studimit-jashtë vendit për studentët amerikanë pas Britanisë.
Ndërsa disa studentë kanë vendosur të qëndrojnë në vendet ku po studiojnë, shumë prej tyre kanë nxituar të blejnë bileta avioni për t’u kthyer në shtëpi, ndërsa kompanitë ajrore po ndërpresin fluturimet ndërkombëtare. Prindërit përpiqen të organizojnë udhëtimet e fëmijëve të tyre nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik.
Një prind postoi në mediat sociale se vajza e tij kishte një biletë për udhëtim nga Aeroporti Ndërkombëtar Charles de Gaulle (në Paris) për në Shtetet e Bashkuara. Dhe megjithëse vajza e tij mbërriti në aeroport tre orë më herët, ajo nuk arriti të hynte në bordin e avionit, duke e përshkruar skenën në aeroport si "kaotike". Ajo pastaj udhëtoi me tren drejt Londrës dhe arriti të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara nga aeoroporti ndërkombëtar Heathrow.
Prindërit tregojnë përmes bisedave në internet, se disa studentë po kthehen në Shtetet e Bashkuara pa u kontrolluar nga zyrtarët shëndetësorë nëpër aeroporte.
Ata kanë përmendur aeroportet John F. Kennedy, O’Hare dhe Logan, që ndodhen në qendrat kryesore të Shteteve të Bashkuara, Nju Jork, Çikago dhe Boston.
Të dielën, një student në Universitetin Amerikan në Uashington testoi pozitiv për COVID-19.
"Studenti kishte udhëtuar brenda Shteteve të Bashkuara dhe ishte kthyer në kampus para fundit të pushimit pranveror. Menjëherë pasi studenti u paraqit tek ne me simptoma, ne kontaktuam Qendrën e Shëndetit Studentor dhe morëm masa për të ndihmuar studentin dhe për të mbrojtur komunitetin," thuhej në një deklaratë të universitetit.
"Studenti është në vetë-izolim në një dhomë në kampus me banjo private, larg anëtarëve të tjerë të komunitetit dhe vazhdojmë t’i dërgojmë ushqime dhe gjëra të tjera thelbësore", thuhet në deklaratë.
Në katër javët e fundit, disa studentë në Shtetete e Bashkuara kanë testuar pozitiv për virusin COVID-19.
Rastet e para të koronavirusit u shfaqën në fund të dhjetorit në një treg të kafshëve në Wuhan të Kinës dhe u përhapën shpejt në popullatën e përreth, përfshirë studentët e universitetit në Wuhan. Shumë studentë kinezë udhëtuan gjatë pushimit të dimrit brenda dhe jashtë Kinës. Shumë nga rreth 300,000 studentë kinezë, që studiojnë në Shtetet e Bashkuara, u kthyen nga Kina në janar pasi kishin vizituar familjet e tyre atje.
Shkalla e vdekshmërisë tek të rinjtë e infektuar me koronavirus është më e ulët se sa për njerëzit mbi moshën 80 vjeç, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Zyrtarët shëndetësorë thonë se të infektuarit mund ta përhapin virusin me ose pa simptoma, deri në 14 ditë pas infektimit.
Javën e kaluar, studentët që jetojnë në kampusin e Universitetit Amerikan në Uashington morën një udhëzim që "të largohen nga kampusi deri të hënën, më 23 mars dhe të kthehen në shtëpitë e tyre për pjesën e mbetur të semestrit." Njoftimi është publikuar në faqen e internetit të universitetit.
"Ne inkurajojmë studentët që të largohen nga kampusi sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndihmuar në zvogëlimin e rrezikut të mundshëm të infektimit ose përhapjes së virusit COVID-19. Ne e dimë se kjo është sfiduese dhe stresuese për studentët dhe familjet e tyre dhe mund të shkaktojë vështirësi financiare dhe të tjera."
Prindërit shprehën pakënaqësinë dhe zemërimin e tyre në internet në lidhje me koston e lëvizjes së fëmijëve të tyre.
"Ju po insistoni që vajza ime të udhëtojë në Uashington, ku ajo do të ekspozohet ndaj koronavirusit përmes udhëtimit, ngrënies jashtë dhe qëndrimit në një hotel," tha nëna e një studenteje të vitit të dytë nga Nju Jorku në një postim në internet. "Atëherë ajo do të kthehet në shtëpi tek ne. Nëse ajo sëmuret në këtë përpjekje idiote (pse duhet të boshatiset dhoma e saj, askush nuk do të futet brenda?), ajo ka të ngjarë të na infektojë edhe ne, sepse ajo po jeton në shtëpi. Ne atëherë do të kemi një shans jashtëzakonisht të frikshëm për të përfunduar në një spital të tronditur ose të vdekur. Çfarë justifikimi mund të ketë për këtë veprim?"
Shumë studentë nuk do të kthehen në klasa të mësimit këtë semestër dhe do të diplomojnë pa ceremoni.
Facebook Forum