Lidhje

Ndalimi i udhëtimeve nga Evropa shton dhimbjen e industrisë ajrore


Ndalimi 30-ditor i Presidentit Donald Trump për shumicën e evropianëve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, është njoftimi i fundit shqetësues për industrinë globale të udhëtimeve që tashmë po përballet nga rezervimet në rënie dhe të anuluara pasi njerëzit përpiqen të shmangin marrjen dhe përhapjen e koronavirusit.

Ndalimi, i njoftuar të mërkurën dhe që do të fillojë në mesnatën e së premtes, nuk do të zbatohet për amerikanët që përpiqen të kthehen në shtëpi - megjithëse ata do t'i nënshtrohen shqyrtimit shëndetësor "të zgjeruar". Ndalimi nuk prek as qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar.


Por, duke u vënë në krye të kufizimeve të ngjashme të vendosura nga shumë qeveri të tjera, masa e Trumpit është e destinuar të përshkallëzojë në mënyrë drastike trazirën me të cilën po përballen injat ajrore globale dhe udhëtarët në disa prej linjave më të udhëtuara.

Ndërprerjet në udhëtimet ajrore po kalojnë efektet në ekonomi, me një goditje për hotelet, kompanitë e makinave me qira, muzetë dhe restorantet.

Udhëtimet fitimprurëse të biznesit tashmë ishte ulur ndjeshëm sepse konferencat u anuluan dhe kompanitë kanë udhëzuar punonjësit që të shmangin të gjitha udhëtimet që nuk janë thelbësore. Udhëtimi nga dhe brenda Azisë është kufizuar për javë të tëra pasi autoritetet përpiqen të ndalojnë përhapjen e virusit atje.

Linjat ajrore u përpoqën të enjten për t'u përshtatur me kufizimet e reja, duke u thënë konsumatorëve se po vlerësojnë opsionet dhe kërkonin durim nga ata që përpiqeshin t'i kontaktonin.

Pensionistët francezë Jean-Michel dhe Christiane Deaux ishin mes atyre që po shqyrtojnë opsionet e tyre. Ata kishin muaj që planifikonin një udhëtim prej 3.500 kilometrash (2,200 milje) nëpër Amerikë dhe kishin planifikuar të fluturonin për në Nju Orlins më vonë këtë muaj. Tani ata janë duke u përpjekur të planifikuar udhëtimin përsëri më vonë gjatë vitit.

"Kur dëgjova njoftimin në mëngjes, u zhgënjeva por nuk u çudita," tha Jean-Michel Deaux. "Gjithë përgatitjet, shkuan kot".

Zakonisht ka rreth 400 fluturime në ditë nga Evropa në Shtetet e Bashkuara. Linjat ajrore tashmë kanë pakësuar oraret e tyre të fluturimit, veçanërisht për rrugët ndërkombëtare, për të përballuar një rënie të mprehtë të kërkesës së udhëtimit nga klientët e frikësuar.

Rreth 72.4 milion pasagjerë fluturuan nga Sh.B.A në Evropë në vitin që përfundoi qershorin e kaluar, duke e bërë atë destinacionin më të njohur ndërkombëtar, sipas shifrave të Departamentit të Transportit. Rreth një e treta e këtyre pasagjerëve fluturojnë në linjat ajrore amerikane, pjesa tjetër me linja të huaja. Trump nuk përmendi kufizime për amerikanët që udhëtojnë për në Evropë.

Edhe para njoftimit të Trumpit, Shoqata Ndërkombëtare e Linjave Ajrore po parashikonte një rënie prej 24% të trafikut të pasagjerëve në Evropë këtë vit dhe 37 miliardë dollarë humbje të shitjeve të mundshme të biletave. Italia, e cila është e mbyllur, pasi autoritetet po përpiqen të kontrollojnë përhapjen e virusit atje, është veçanërisht e goditur.
Trump Virus Outbreak
Trump Virus Outbreak


Në fjalimin e tij nga Zyra Ovale, Trump tha se kufizimet e Sh.B.A-së për njerëzit që vinin nga Kina dhe vendet e tjera me shpërthime të hershme të COVID-19 kishin mbajtur të ulur numrin e rasteve në Shtetet e Bashkuara në krahasim me Evropën. Ai fajësoi Bashkimin Evropian për dështimin për të ndaluar menjëherë udhëtimet nga Kina "dhe pika të tjera të nxehta", për të cilat ai tha se kishin çuar në rritje të rasteve të infektimit në SH.B.A. "të sjella nga udhëtarët nga Evropa".

Trump e ka quajtur sëmundjen një "virus të huaj" dhe ka pohuar se rastet e infektimit në ShBA "u mbollën" nga udhëtarët evropianë. Ai njoftoi se të gjitha udhëtimet evropiane do të ndërpriten, por zyrtarët amerikanë më vonë thanë se kufizimet do të zbatohen vetëm për qytetarët e huaj që kanë qenë në zonën e Shengenit të Evropës në çdo vend për 14 ditë para arritjes së tyre në Shtetet e Bashkuara.

"Bashkimi Evropian nuk e pranon faktin se vendimi i SHBA për të vendosur një ndalim udhëtimi u mor në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultime," thanë Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një deklaratë të përbashkët.

Kufizimet e reja të Sh.B.A zbatohen për shumicën e shtetasve të huaj që kanë qenë në zonën e Shengenit me 26 vende të Evropës 14 ditë para ardhjes së tyre të planifikuar në Shtetet e Bashkuara. Vendet e Shengenit, të cilat nuk kufizojnë udhëtimin mes njëri-tjetrit, përfshijnë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Spanjën.

Organizata Botërore e Shëndetit të mërkurën e etiketoi COVID-19 një pandemi, duke përmendur përhapjen dhe ashpërsinë e tij alarmante. Disa ekspertë kanë ngritur dyshime në lidhje me efektivitetin e kontrolleve strikte kufitare tani që virusi është përhapur në kaq shumë vende.




Në Azi, ku virusi u raportua për herë të parë, qeveritë kanë vendosur kufizime të ndryshme për mbërritjet, kërkesa për çertifikata shëndetësore dhe masa të tjera paraprake për më shumë se një muaj.

Një grup tregtar i industrisë së aviacionit paralajmëroi se linjat ajrore në të gjithë botën mund të humbasin deri në 113 miliard dollarë të ardhura nga virusi - një dëm disa herë më i madh nga dëmi i shkaktuar nga sulmet terroriste të vitit 2001 në SHBA. Që nga mesi i shkurtit, aksionet e kompanisë American Airlines kanë rënë me gati gjysmën e vlerës, United Airlines me më shumë se një të tretën, dhe Delta Air Lines më shumë se një të katërtën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG