Analistët në Kosovë vlerësojnë se masat e paralajmëruara nga kryeministri Albin Kurti rreth tarifave ndaj mallrave serbe, janë në shpërputhje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rrjedhimisht mund ta dëmtojnë rëndë partneritetin në mes të të dyja vendeve.
Analisti Ilir Ibrahimi i tha Zërit të Amerikës se Kosova po e sfidon durimin e partnerit më serioz strategjik.
“Ne edhe deri këtu nuk kemi mundur të mendojmë që do të arrijmë pa një përkrahje të tillë të Shteteve të Bashkuara. Nëse e vëmë në pikëpyetje këtë partneritet atëherë ne po e rrezikojmë vendin tonë, po e rrezikojmë të ardhmen dhe po e rrezikojmë shtetin. Kjo duhet t’i bëhet e qartë lidershipit në Kosovë sepse nuk mund të bëhen lojëra të tilla politike se çfarë përfitimesh kam unë të votuesi im me një interes kaq madhor”, tha zoti Ibrahimi.
Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi, tha se masat e kryeministrit Kurti paraqesin një përpjekje për të dalë nga situata.
“Qëndrimi i zotit Kurti ishte një qëndrim populist dhe duhet mirëkuptuar deri në njëfarë mase sepse veprimet e tilla si heqja e taksës në Ballkan nuk janë shumë popullore, nuk priten mirë apo edhe mund të shfrytëzohen nga kundërshtarët politikë për ta destabilizuar qeverinë dhe vendin dhe zoti Kurti e ka pasur parasysh këtë moment politik”, tha ai.
Megjithatë zoti Pacarizi thotë se qeveria e Kosovës nuk duhet të ndërmarr veprime të cilat e dëmtojnë imazhin e saj edhe ashtu te dëmtuar, si partner serioz kundrulla faktorit ndërkombëtar e mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zoti Ibrahimi thotë se e gjithë situata rëndohet edhe më tepër nga mungesa e bashkërendimit në mes të vet partnerëve të koalicionit qeverisës.
“Vendimet e tilla nëse nuk i koordinon edhe me partnerin tënd të koalicionit janë edhe më të këqija do të thoja sepse aty duhet të votohet në qeveri e ndoshta edhe në parlament dhe nëse nuk arrihet një koordinim të paktën me partnerin e koalicionit si do të mund të ndërtohet një konsensus më i gjerë i cili pritet dhe kërkohet për të shkuar në një dialog me Serbinë”, thotë ai.
Analistët bëjnë thirrje që udhëheqësit e Kosovës të diskutojnë për arritjen e konsensusit të brendshëm si dhe të bashkërendohen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kryeministri i Kosovës e ka një mundësi që deklaratën e tij të mbrëmshme ta trajtoj si qëndrim dhe jo vendim, dhe vendimin pastaj ta marrë brenda qeverisë, një vendim i cili do të ishte në përputhje me udhëzimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse Kosova nuk ka një partner tjetër strategjik dhe më të rëndësishëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë zoti Pacarizi.
Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar përgjatë muajve të fundit se Kosova duhet të heqë tarifat ndërsa Beogradi duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe të dyja palët të hapin rrugën për një marrëveshje që do të kishte në thelbin e saj njohjen e ndërsjellë.
Facebook Forum