Lidhje

Kosovë: Qeveria shfuqizon vendimet e kabinetit paraardhës


Në Kosovë qeveria e re shfuqizoi sot një sërë vendimesh të qeverisë së kaluar, siç është edhe ai për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë. Vendimet e sotme nxitën reagimin e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, ndërsa u mirëpritën nga përfaqësues të shoqërisë civile. Nga Prishtina njofton korrespondentja jonë, Edlira Bllaca.

Kosovë: Qeveria shfuqizon vendimet e kabinetit paraardhës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00
Kryeministri Albin Kurti, tha se shfuqizimi i vendimit për pagat përfshin vetëm zyrtarët e qeverisë por jo edhe pagat e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilat ishin rritur me vendimin e qeverisë paraprake.
“Pagat për pozitat e përcaktuara kthehen me vendimin e shfuqizuar kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm. Duhet thënë që ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu propozoj që të plotësohet dhe ndryshohet pika dy e vendimit të qeverisë, numër 01/59 i datës 17.11.2015 që ka të bëjë me përfitimet e zyrtarëve pas përfundimit të mandatit të tyre”, tha kryeministri Kurti.
Në vitin 2017 qeveria e kryesuar nga Ramush Haradinaj kishte rritur pagat për zyrtarët qeveritar për 100 për qind. Me atë vendim paga e kryeministrit nga 1 mijë e 500 ishte rritur në 2 mijë e 950 euro, një veprim që kishte nxitur reagime.
Lëvizja Vetëvendosje kërkoi atëbotë opinionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila vlerësoi se vendimi nuk bie ndesh me Kushtetutën.
Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, e cilësoi vendimin e qeverisë Kurti si një veprim, sic tha ai, populist, të panevojshëm, dhe që në realitet nuk sjellë asnjë ndryshim efektiv.
“Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca pikë të shpejta politike në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit. Kështu, brenda vetëm një jave qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”, shkroi zoti Haradinaj në rrjetet sociale.
Arbresha Loxha nga Grupi për studime juridike dhe politike në një bisedë për Zërin e Amerikës mirëpriti këtë vendim të kryeministrit Kurti, por duke nënvizuar se çështja e pagave në sektorin publik ka edhe mangësi të tjera.
“Sa i takon vendimit për pagat do të duhej të adresohej në tërësi, pra të mendohej plotësim ndryshimi i ligjit për pagat dhe të adresohej plotësisht pabarazia e cila ekziston në pagat e sektorit publik, pra të respektohet parimi i njejtë për punën e njëjtë dhe përfundimisht të adresohet defekti i pagave në sektorin publik”, tha ajo.
Një pjesë e vëzhguesve tha sot se vendimi për ujen e pagave të zyrtarëve qeveritarë është i drejtë për jo edhe i ligjshëm.
Qeveria vendosi po sot edhe shkarkimin e të gjithë bashkërenduesve kombëtar të emëruar gjatë mandatit të zotit Haradinaj, për reforma shtetërore, për ndryshime klimatike dhe çështje të mjedisit, për kulturë, rini dhe sport, kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, si dhe atë për Integrim dhe anëtarësim në NATO.
Zonja Loxha tha se ky është një hap i duhur në procesin e reformimit të administratës publike.
“Ne në vazhdimësi kemi kritikuar rritjen galopante të qeverisë dhe emërimet vetëm sa për të akomoduar militantët partiakë dhe njerëzit e afërt me politikën mirëpo konsiderojmë që reformat e nevojshme të administratës publike nuk duhet të ndalen këtu por të vazhdojnë më tutje. Një hap tjetër do të duhej të ishte racionalizimi i agjencive të pavarura që është pjesë e reformës së administratës publike”, tha ajo.
Sipas zonjës Loxha duhet të rishikohen të gjitha emërimet në qeveri por edhe në institucione të tjera publike.
“Përtej këtyre ne konsiderojmë që qeveria Kurti do të duhej të instaloj një sistem radikal të transparencës, pra të adaptohen parimet themelore të doktrinës së qeverisjes së hapur pra “open government” e cila në të kaluarën ka qenë vetëm sipërfaqësisht e përqafuar. Pra të adaptohen parimet e integritetit, llogaridhënies, transparencës si dhe pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse, ashtu që cdo vendim, masë apo qëndrim i qeverisë të jetë i qasshëm për publikun në kohë të arsyeshme në format të përshtatshëm”, thotë zonja Loxha.

Mes vendimeve të shfuqizuara sot nga qeveria e re është edhe anulimi i vazhdimit të mandatit për tre vjet të drejtorit të Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, me arsyetimin se vendimin për vazhdim të mandatit zoti Haradinaj e kishte marrë derisa ishte kryeministër në largim dhe ne kundërshtim me ligjet në fuqi.
Qeveria e kaluar në vazhdimësi është kritikuar nga organizatat e shoqërisë civile lidhur me numrin e madh të zyrtarëve të saj, ndërsa kryeministri Kurti një nga premtimet kryesore gjatë fushatës zgjedhore e kishte zvogëlimin e qeverisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG