Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se i ka ofruar kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti edhe 48 orë shtesë për emërimin e kandidatit për kryeministër të ardhshëm.
Ai i bëri këto komente pas takimit me kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me dhënien e mandatit partisë fituese për formimin e qeverisës. Ky ishte edhe takimi i parë ndërmjet dy politikanëve,rivalë të vjetër.
Në një deklaratë në llogarinë e tij në Facebook, presidenti Thaçi tha se “nevoja e formimit të qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në deklaratën e tij.
Por, zyra e presidentit Thaçi nuk e ka sqaruar se mbi ç’bazë është dhënë ky afat. Njohësit e çështjeve juridike të kontaktuar nga Zëri i Amerikës thanë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese që pasoi krizën institucionale të vitit 2014 kur vendi mbeti gjashtë muaj pa qeveri pas zgjedhjeve nuk i jep të drejtë presidentit të vendit të caktoj afate për t’i dhënë mandatin partisë ose koalicionit fitues, përveç nëse një kërkesë e tillë bëhet nga fituesi i zgjedhjeve.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk përmendi afatet por tha se takimi me presidentin Thaçi ishte një takim i shkurtër këshillues, pa efekte juridike.
“Në këtë takim disaminutësh, unë dëgjova presidentin i cili shprehu interesimin e tij për formimin sa më të shpejtë të qeverisë tëë Republikës së Kosovës por njëkohësisht tha që e di se ju duhet edhe një kohë e caktuar për këtë gjë, por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, mirëpo në bazë të kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit siç e kemi lexuar ne është e nevojshme që këtë ta bëjmë me një shkresë me shkrim, prandaj për këtë kërkesë të presidentit në këtë takim konsultativ, unë do të raportoj në kryesinë e lëvizjes Vetëvendosje dhe sa më parë që mundemi do t’ia sjellim presidentit të Republikës propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm që ai duhet të mandatoj sipas obligimit kushtetues në bazë të funksionit që ushtron”, tha zoti Kurti.
Më herët gjatë ditës zoti Kurti, i bëri sërish ofertë publike Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicionin qeverisës, madje duke publikuar edhe emrat e atyre që do të merrnin postet ministrore nga radhët e partisë së tij.
Nëpërmjet një video mesazhi në llogarinë e tij në Facebook, zoti Kurti tha se pas tre muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare do të jetë i detyruar të takohet me presidentin e Kosovës, pa marrëveshje me LDK-në. Ai tha se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme nuk i është bërë e mundur një takim me kryetarin e LDK-së para takimit të sotëm më presidentin e vendit.
“Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti 2020 do të na zë pa qeveri. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marr më së shumti vota në dy palë zgjedhje parlamentare theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve por është kohë e shtetit dhe kohë publike e të gjithëve e për të gjithë”, tha zoti Kurti.
Në video mesazhin e tij drejtuar Lidhjes Demokratike, zoti Kurti i bëri thirrje udhëheqjes së LDK-së që t’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit.
“Nga Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazin, për ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiun, për ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Rekën, për ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimin, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdarin, dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitinë. Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat jo serbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave të lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
Lidhja Demokratike në orët e mbrëmjes pas mbledhjes së kryesisë tha se “edhe njё herё shpreh gatishmёrinё qё tё vijojë bisedimet me lёvizjen Vetёvendosje, mbi bazёn e mirёbesimit dhe tё partneritetit. LDK-ja vlerёson se pushtetet e balancuara dhe pёrgjegjёsitё e pёrbashkёta janё jetike pёr funksionimin e koalicionit tё mundshёm, si dhe pёr funksionimin demokratik tё institucioneve. LDK-ja fton Lёvizjen Vetёvendosje qё tё reflektojё mbi bazёn e kёtij parimi, nё bazё tё tё cilit edhe ёshtё ndёrtuar qёndrimi i LDK-sё lidhur ndarjen e pushteteve dhe balancin ndёrmjet tyre”, thuhet në një njoftim të kësaj partie por pa saktësuar se cilat poste synon të ketë në qeverinë e ardhshme që marrëveshja të jetë e pranueshme për të.
Negociatat ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike dështuan deri tash të sigurojnë një marrëveshje dhe mbledhja e parë e parlamentit që u mbajt me 26 dhjetor ndryshoi situatën. Në krye të parlamentit u zgjodh Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje, ndonëse përgjatë gjithë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike.
Kjo thelloi hendekun ndërmjet dy partive që nuk po pajtoheshin rreth kërkesës së Lidhjes Demokratike që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit.
Facebook Forum