Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk i ka komentuar ofertën e zotit Kurti dhe as takimin e tij me presidentin Thaçi.
Kjo parti pas mesditës mbajti një mbledhje të grupit të saj parlamentar dhe më pas mblodhi edhe kryesinë e partisë për të diskutuar zhvillimet rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës.
Negociatat ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike dështuan deri tash të sigurojnë një marrëveshje dhe mbledhja e parë e parlamentit që u mbajt me 26 dhjetor ndryshoi situatën. Në krye të parlamentit u zgjodh Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje, ndonëse përgjatë gjithë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike.
Kjo thelloi hendekun ndërmjet dy partive që nuk po pajtoheshin rreth kërkesës së Lidhjes Demokratike që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit.