Seancat dëgjimore në kuadër të hetimit për shkarkimin e Presidentit Trump kanë ofruar detaje të reja rreth dyshimeve se zoti Trump i bëri presion Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të hetuar kundërshtarin e tij demokrat Joe Biden dhe djalin e tij. Ndërsa ligjvënësit po përpiqen të përcaktojnë akuzat me qëllim ngritjen e tyre zyrtarisht falë një votimi përpara fundit të vitit në Dhomën e Përfaqësueve, republikanët dhe demokratët mbeten thellësisht të ndarë në lidhje me këtë proces. Korrespondentja e Kongresit të Zërit të Amerikës, Katherine Gypson njofton.
Dymbëdhjetë dëshmitarë brenda pesë ditësh sollën në seancat dëgjimore publike në kuadër të procesit për shkarkimin e Presidentit dëshmitë e tyre rreth asaj që kishin dëgjuar ndërsa ishin të pranishëm gjatë bisedës telefonike së 25 korrikut mes presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas Zelenskiy.
"Ishtë e papërshtatshme që Presidenti i Shteteve të Bashkuara i kërkoi një qeverie të huaj të hetojë një qytetar amerikan dhe një kundërshtar politik", tha kolonel lejtnant Alexander Vindman, drejtor për Çështjet Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Dëshmitarët u thanë ligjvënësve se avokati personal i presidentit, Rudy Giuliani, i bëri presion zyrtarëve ukrainas që të shpallnin publikisht fillimin e hetimeve.
"Të gjithë e kuptuam që nëse nuk do të pranonim të punonim me zotin Giuliani, do të humbisnim një mundësi të madhe për të forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Ndaj ndoqëm urdhrat e Presidentit”, tha Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian.
Por asnjë prej dëshmitarëve nuk i lidhi drejtpërdrejt kërkesat e zotit Giuliani me zotin Trump. Shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë mbi korrupsionin vonuan lëvrimin e ndihmës, argumentuan republikanët.
"Mendoj se Presidenti dëshironte të sigurohej se do të kishte ndryshime në këtë drejtim në Ukrainë", tha Kevin McCarthy, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve.
Për zonjën Pelosi dëshmitë provuan se presidenti Trump ka abuzuar me detyrën ç'ka përbën një veprim që duhet të çojë në ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e tij.
“Kur shohim se është shkelur Kushtetuta, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të veprojmë. Provat janë të qarta se Presidenti ka përdorur pushtin e tij për përfitime personale. Duke ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën ai minoi sigurinë kombëtare në dobi të rusëve. Ai ka minuar integritetin e zgjedhjeve tona me atë që ka bërë", tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Nuk është ende e qartë se kur Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për të ngritur zyrtarisht akuzat për shkakrimin e presidentit. Pas përfundimit të hetimeve nga komisioni i Zbulimit që drejtohet nga Adam Schiff, procesi do të kalojë tek komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve aty ku do të përcaktohet tërësia e akuzave ndaj presidentit me qëllim shkarkimin e tij. Por demokratët përballen ende me sfidën për të bindur publikun amerikan.
"Ndoshta shumica e veprimeve janë të vështira për t'u kuptuar si një shkelje që mund të çojë në shkarkim. A është Trump-i pro apo kundër Ukrainës? Çfarë po ndodh saktësisht? Kjo është e vështirë për për t’u kuptuar nga shumica e votuesve. Dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse shumica e votuesve kërkojnë burime të besueshme për interpretimin e çështjes. Dhe sigurisht demokratët do të kërkojnë burime demokrate dhe republikanët, burime republikane", thotë Hans Noel, i universitetit Georgetown.
Mbështetja publike për ngritjen e akuzave zyrtare për shkarkimin e zotit Trump është rritur në muajt e fundit. Demokratët shpresojnë se kjo tendencë do të vazhdojë ndërsa përgatiten për një votim të akuzave në Dhomën e Përfaqësueve dhe një gjykim në Senat që me gjasë do nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
Facebook Forum