Lidhje

Hetimi ndaj Presidentit Trump, një javë me dëshmi të rëndësishme publike


Ligjvënësit demokratë mbyllën javën e parë të seancave publike të hetimeve ndaj Presidentit Donald Trump, me një dëshmi të Marie Yovanovitch. Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë u tha ligjvënësve se ishte bërë objektiv i një fushate dezinformimi të orkestruar nga avokati personal i presidentit, Rudy Giuliani, i cili sipas saj ishte pjesë e një kanali jo të rregullt diplomatik që pezulloi rreth 400 milionë dollarë asistencë amerikane për Ukrainën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, njofton rreth zhvillimeve që pritet të ketë gjatë kësaj jave me seancat dëgjimore rreth akuzave se Presidenti Trump abuzoi me detyrën.

Java e parë e dëshmive publike në kuadrin e hetimit të Presidentit Trump, do të pasohet nga një javë e dytë edhe më e ngjeshur, gjatë së cilës do të dëshmojnë tetë zyrtarë diplomatikë dhe të sigurisë kombëtare, duke filluar nga e marta. Ata pritet të thonë se politika e jashtme amerikane në Ukrainë u sabotua për hir të interesave politike të presidentit, nën drejtimin e avokatit personal të tij.

“Rudy Giuliani nuk e ka fshehur dëshirën që Ukraina të hapë hetime për Biden-at, apo teorinë konspirative për ndërhyrje të Ukrainës në zgjedhjet tona në vitin 2016”, tha Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Demokratët thonë se presidenti e shkarkoi ambasadoren amerikane në Ukrainë, për të eliminuar një pengesë ndaj planeve të tij.

“Politika jonë për Ukrainën është çorientuar dhe njerëz të interesave nga më të errëtat në mbarë botën mësuan se sa e lehtë është të heqësh një ambasadore amerikane që nuk u jep atë çfarë dëshirojnë. Pas këtyre ngjarjeve, nuk mund të fajësohet një zyrtar i huaj, i korruptuar apo jo, se vë në pikëpyetje nëse ambasadori amerikan përfaqëson pikëpamjet e presidentit”, u tha ligjvënësve ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Marie Yovanovitch.

Presidenti Trump shkruajti në Twitter ndërsa ajo po dëshmonte. Ligjvënësit demokratë reaguan duke thënë se mund të shtojnë akuza të reja në dokumentin që do të përpilojnë.

“Kjo është pjesë e një skeme për të frikësuar dëshmitarët, për të penguar hetimin dhe për më shumë për të penguar drejtësinë”, tha Kryetari Schiff.

Por, Presidenti doli në mbrojtje të veprimit të tij...

“Kam të drejtën të flas. Kam të drejtën e lirisë së shprehjes ashtu si të tjerët, por ata ua kanë hequr të drejtat republikanëve”, tha Presidenti Trump.

Aleatët e tij republikanë thonë se java e parë e dëshmive publike nuk solli asnjë evidencë shkeljesh.

“Dëgjesa e dytë, dëshmitari i tretë. Dëshmitari i tretë që nuk ka asnjë njohuri të dorës së parë për subjektin që supozohet se është fokusi i të gjithë hetimit. Dëshmitari i tretë që nuk ka folur kurrë me presidentin, dhe që as nuk ishte në Ukrainë gjatë periudhës në fjalë”, u shpreh Ligjvënësi republikan Jim Jordan.

Dëshmitarët e ardhshëm do të ofrojnë njohuri të dorës së parë për telefonatën e Presidentit Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelinskiy. Ndër dëshmitarët do të jetë edhe Ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, i cili tashmë ka korrigjuar dëshminë e tij fillestare dhe tani konfirmon se Presidenti Trump kushtëzoi asistencën për Ukrainën në këmbim të ndihmës për të hetuar rivalin e tij politik Joe Biden dhe të birin, Hunter.

“Nga dëshmitë tronditëse u zbulua edhe evidencë për rryshfet, si dhe se presidenti abuzoi pushtetin dhe shkeli betimin duke kërcënuar të mbajë pezull asistencën ushtarake apo një takim në Shtëpinë e Bardhë, në këmbim të një hetimi ndaj rivalit të tij politik”, tha Nancy Pelosi, Kryetar e Dhomës së Përfaqësuesve.

Rryshfeti mund të jetë një nga disa akuzat që do të përpilojë brenda dhjetorit Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga shumica demokrate. Kjo do të pasohet nga një gjyq të Presidentit Trump në Senatin e kontrolluar nga shumica republikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG