Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka shpallur gjendjen e emergjencës në mbarë shtetin, për shkak të zjarreve dhe prerjes së energjisë për miliona banorë, si masë parandaluese. Kompania e energjisë ka ndërprerë furnizimin gjatë fundjavës për rreth 1 milionë shtëpi dhe biznese.
“Do t’i mbështesim duke bërë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur familjet të sigurta. Do të shqetësohemi për dëmin ndaj pronës pasi të jemi kujdesur për njerëzit. Po sigurohemi se po bëjmë gjithçka të mundshme për t’u ofruar ilaçe dhe gjërat e tjera që u nevojiten ndërsa njerëzve u është ndërprerë puna dhe jetët u janë përmbysur. Po kujdesemi për fëmijët dhe do të vazhdojmë të ofrojmë informacion në kohë reale, gjë që është shumë e vështirë në këto rrethana”, tha Guvernatori Gavin Newsom.
Në mbarë shtetin, rreth 180 mijë persona janë evakuar nga shtëpitë e tyre për t’iu larguar zjarreve – shumica nga distrikti Sonoma, në veri të San Françiskos. Guvernatori shpreson se do të bjerë era tepër e fortë që po ndihmon zjarrin, ndërsa 3 mijë punonjës janë duke luftuar zjarret.
Zjarrfikësit patën thënë se zjarri ishte 10% i izoluar, por më vonë kjo kuotë ra në 5%, ndërsa sipërfaqja e shtrirjes së tij arriti në 22 mijë hektarë.
U njoftua se rreth 100 godina ishin shkatërruar plotësisht, së bashku me vreshtat e mirënjohur dhe të preferuar nga turistët.
Në Kaliforninë e Jugut, një zjarr më i vogël në Santa Clarita, pranë Los Anxhelosit, ishte 70% i izoluar. Megjithatë edhe ky zjarr pati shkatërruar dhjetëra godina.
Kompania e energjisë Pacific Gas & Electric (PG&E) ndërpreu furnizimin për rreth 1 milionë shtëpi dhe biznese, pa i njoftuar në kohë një pjesë prej tyre.
Bizneset janë të zemëruara nga këto prerje të energjisë që u kanë kushtuar dhjetëra mijëra dollarë dhe banorët u ankuan për fundjavën pa energji.
Por, kompania PG&E thotë se nuk do që elektriciteti të përçohet nga linja mbi të cilat janë rrëzuar pemë duke shkaktuar kështu zjarre të mëtejshme.
Autoritetet në Kaliforni fajësojnë linjat e kësaj kompanie për zjarret e vitit të kaluar që vranë 85 persona dhe shkatërruan qytete të tëra. E përballur me padi gjyqësore prej miliarda dollarësh, kompania u detyrua të shpallë falimentin këtë vit.
Guvernatori Newsom thotë se shteti i Kalifornisë do të shpenzojë 75 milionë dollarë për të ndihmuar banorët dhe bizneset që po përballen me mungesën e energjisë.
Facebook Forum