Ish-Nënpresidenti Joe Biden bëri thirrje këtë javë për ngritjen e akuzave me qëllim shkarkimin e Presidentit amerikan Donald Trump, pasi u aludua se Presidenti ka kërkuar të marrë nga Ukraina informacion dëmtues për zotin Biden dhe djalin e tij. Tashmë kryesues i kandidatëve demokratë për 2020-tën, Joe Biden e gjen veten pjesë të betejës mes demokratëve në Kongres dhe Presidentit Trump, betejë që mund të sjellë votimin për shkarkimin e Presidentit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, debati nuk po e ngadalëson fushatën Biden.
Mesazhe të forta nga pretendenti kryesor demokrat për Presidentin Trump...
...Ndërkohë që Joe Biden po bën fushatë me urgjencë për të ruajtur pozicionin kryesues në votimet e hershme në shtetin New Hampshire, i pari shtet amerikan ku votohet për zgjedhjet paraprake.
“Donald Trump do të bënte gjithçka për t’u rizgjedhur, madje edhe duke shkelur format më elementare të demokracisë”, tha zoti Biden.
Ligjvënësit demokratë filluan një hetim zyrtar me qëllim shkarkimin e Presidentit, pasi një informator akuzoi se Presidenti Trump kishte pezulluar asistencën për Ukrainën ndërsa bënte presion për të siguruar informacion dëmtues për zotin Biden dhe djalin e tij.
Zoti Biden i hedh poshtë aludimet.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat dhe sulmet e tij ndaj meje apo djalit tim. Zero”, tha zoti Biden.
Zoti Biden thotë se është veçanërisht i kualifikuar për të fituar përballë Presidentit Trump.
“Thashë që do të kandidoj për t’i rikthyer shpirtin Amerikës. Kjo vendoset në 2020-tën. Prandaj këto zgjedhje janë kaq të rëndësishme. Prandaj nuk do të lejojmë që ta përzgjedhë Donald Trump-i kandidatin demokrat për president”, tha zoti Biden.
Ky argument duket se i bëri për vete demokratët e shqetësuar të shtetit New Hampshire.
((MARSHA MILLER, VOTUESE NË NEW HAMPSHIRE))
“Sot është hera e parë që u emocionova shumë. Mendoj se me Nënpresidentin Biden nuk ka dredhira. Nuk pati premtime të kota. Ishte thjesht një vlerësim i sinqertë i gjendjes ku jemi dhe ku duhet të ishim. Si dhe shpresë. Ai na ofroi shpresë”, thotë Marsha Miller, votuese në shtetin New Hampshire.
Por, mbështetësit e Presidentit Trump thonë se puna e mëparshme e zotit Biden me udhëheqësit e huaj duhet të shqyrtohet.
“Atij duhet t’i vijë turp nga vetja, me mashtruesat me të cilët është përfshirë gjatë viteve, dhe jo të drejtojë gishtin ndaj presidentit për gjëra që janë pjesë e detyrës së tij si president; është absolutisht qesharake”, thotë Lou Gargiualo, nënkryetar i organizatës “Trump për New Hampshire”.
Ata gjithashtu janë dakort me shpjegimin e Presidentit Trump se ai po trajtonte çështjen e korrupsionit.
“Presidenti Trump bëri gjënë e duhur – tharjen e kënetës. Këta njerëz përfitojnë për xhepat e tyre nëpërmjet shitjes së interesave tona”, thotë Chau Kelley, votuese në New Hampshire.
Kandidatura e zotit Biden mbështetet tek argumenti se ai mund të tërheqë një gamë më të gjerë votuesish – apeli i tij për më shumë hijeshi bind votuesit me pikëpamje më progresive.
“Më bën të mendoj se politika mund të jetë më e gjallë dhe më angazhuese dhe se njerëzit në anët e ndryshme të spektrit mund të flasin me njëri-tjetrin. Është ky lloj personi. Dëgjoj zërin tim të brendshëm që më thotë ta mbështes”, thotë Randy Neukam, votues në New Hampshire.
Votuesit në shtetin New Hampshire kanë ende katër muaj kohë përpara se të votojnë në zgjedhjet paraprake. Hetimet për shkarkimin e presidentit sigurojnë që zoti Biden do të vazhdojë të jetë në qendër të debatit për Presidentin Trump.
Facebook Forum