Presidenti iranian Hassan Rouhani pritet të mbajë një fjalim të mërkurën përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një ditë pasi Presidenti Donald Trump e quajti Iranin një nga "kërcënimet më të mëdha në botë".
Udhëheqës botërorë, përfshirë Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel i kanë kërkuar zotit Trump dhe zotit Rouhani të takohen, me shpresën për të zgjidhur tensionet në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Por deri më tani, këto përpjekje kanë qenë të pasuksesshme.
"Ata janë këtu. Ne jemi këtu, por nuk kemi rënë dakord ende për këtë", tha zoti Trump të martën.
Hassan Rouhani ka dhënë sinjale se është i gatshëm për bisedime, por vetëm nëse Presidenti Trump bie dakort të heqë sanksionet ekonomike ndaj Teheranit.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj industrisë kryesore të Iranit, asaj të naftës, pas tërheqjes vitit të kaluar nga marrëveshja e vitit 2015 e cila kufizon programin bërthamor të Iranit. Që nga ajo kohë, Irani i ka tejkaluar disa prej kufizimeve, me argumentin se nënshkruesit e tjerë nuk po e plotësojnë pjesën e tyre të marrëveshjes, veçanërisht për të siguruar që Teherani të lehtësohet nga sanksionet.
Këtë muaj, zyrtarët amerikanë akuzuan Iranin si përgjegjës për një sulm ndaj rafinerive të naftës saudite, akuzë që Irani e hedh poshtë.
Të mërkurën pritet gjithashtu edhe fjalimi përpara asamblesë i Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy krahas bisedimeve të planifikuara me presidentin Trump.
Një telefonatë e zhvilluar në muajin korrik mes zotit Trump dhe zotit Zelenskiy ka marrë në javët e fundit vëmendjen kryesore të ligjvënësve amerikanë mes njoftimeve se zoti Trump i kërkoi zotit Zelenskiy të hetojë kandidatin e demokrat për president Joe Biden në lidhje me një punë që djali i tij Hunter mbante në një kompani gazi në Ukrainë.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi njoftoi të martën nisjen zyrtare të procedurës për shkarkimin e presidentit lidhur me këtë zhvillim.
Takimi kryesor i Asamblesë së Përgjithshme u hap të martën duke u përqëndruar tek ndryshimet klimatike. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se ndërsa bota po e humb këtë betejë, ka akoma kohë për të ndryshuar efektet e këtij fenomeni botëror.