Lidhje

Rruga Gjakovë-Tropojë merr emrin e ligjvënësit Eliot Engel


Rruga Gjakovë-Tropojë merr emrin e ligjvënësit Eliot Engel
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Rruga që lidhë qytetet Gjakovë e Tropojë, rrjedhimisht Kosovën me Shqipërinë, nga sot mban emrin e ligjvënësit amerikan, Eliot Engel.

Përurimi i rrugës u bë në shenjë falënderimi për angazhimin e tij të vazhdueshëm për çështjen shqiptare në Ballkan.

Zoti Engel, i cili po sot u shpall edhe qytetar nderi i Tropojës, tha se do të vazhdojë të jetë gjithmonë mik i shqiptarëve dhe të punojë në të mirë të tyre.

"Është me të vërtetë nder i veçantë kur diçka merr emrin tënd dhe ti je gjallë ta shohësh,sepse kur të vdesësh është e mrekullueshme, por nuk arrin ta shohësh. Më lejoni të falënderoj miqtë e mi, Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci, dhe të tjerët që më kanë njohur me popullin e mrekullueshëm shqiptar. Unë u them miqve në Washington e New York se mund të udhëtojnë kudo rreth botës duke qenë amerikan, por se askund nuk do të trajtohen aq mirë se nga miqtë tanë shqiptarë", tha ai.

Ligjvënësi Engel po qëndron në rajon në një vizitë disa ditëshe, gjatë së cilës ishte në Beograd dhe në Luginën e Preshevës ndërsa të enjten në mbrëmje mori pjesë në përurimin e ndërtesës së ambasadës amerikane në Prishtinë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha sot se zoti Engel është përfaqësues ideal i miqësisë së pathyeshme shqiptaro amerikane.

"Mirënjohjen më të madhe bashkive të Gjakovës e Tropojës që i kanë vendosur kësaj rruge emrin e zotit Eliot Engel, por unë jam i sigurt që emri i tij është i gdhendur në çdo zemër shqiptare që rreh shqip, këtu në Malësinë e Gjakovës, në New York, në Shqipëri, Kosovë, gjithë trojet tona dhe kudo në botë", tha presidenti Meta.

Kryetari komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe kryetari i bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, vlerësuan lart angazhimin e zotit Engel për popullin shqiptar.

"Duhet ta themi që për shkak tuajin dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjaku i dëshmorëve tonë, i vajzave dhe djemve nuk ka shkuar kot. Pra është Amerika ajo që ka bërë që ai mund, ajo sakrificë e madhe sot të jetë e kurorëzuar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Populli i Kosovës, gjithë shqiptarët kudo që janë nuk do të harrojnë kurrë, ne nuk do të harrojmë kurrë, këtë emër do ta mbajmë me nder", tha zoti Gjini.

"I prekshëm dhe i dukshëm është kontributi i zotit Eliot Engel për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në hapësirat ballkanike. Në qoftë se do të përpiqeshim që ndihmës, solidaritetit dhe humanizmit të pashoq amerikan ndaj shqiptarëve t'u jepnim një fytyrë, atëherë pa dyshim kjo do të ishte fytyra e mikut tonë të madh e të sinqertë, Eliot Engel", tha zoti Dushaj.

Rruga me emrin e ligjvënësit amerikan, Eliot Engel, i cili njihet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, i shtohet listës së rrugëve, bulevardeve, shtatoreve e busteve që janë ngritur në Kosovë në shenjë mirënjohjeje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

XS
SM
MD
LG