Sulmi vdekjeprurës në Zelandën e Re nga një person i armatosur që promovonte një manifest kundër emigrantëve u krye ndërsa Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një rritje të vrasjeve nga ekstremistët e djathtë.
Vitin e kaluar, ekstremistë vendas vranë të paktën 50 persona në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në vitin 2017 viktimat ishin 37. Të dhënat për këto lloje vrasjesh i regjistron Qendra mbi Ekstremizmin, e Lidhjes kundër Shpifjes (ADL). [[ https://www.adl.org/murder-and-extremism-2018 ]]
Pesë vitet e fundit kanë sjellë një numër më të lartë vrasjesh nga ekstremistët, krahasuar me të gjitha periudhat pesë-vjeçare që nga viti 1970.
Një ndër shkencëtarët kryesorë të qendrës, Mark Pitcavage, thotë se secili prej autorëve të vrasjeve të vitit të kaluar kishte lidhje me të paktën një lëvizje të krahut të djathtë.
Zoti Pitcavage thotë se shumica e vrasjeve u kryen nga supremacistë të bardhë, ndërsa një numër më i vogël u kryen nga ekstremistë anti-qeveri dhe urryes të grave që identifikohen si “beqarë të detyruar”.
Disa incidente me dukshmëri të lartë janë njoftuar gjerësisht në media, si p.sh. masakra e 11 besimtarëve hebrenj nga supremacisti i bardhë Robert Bowers në një sinagogë në Pitsburg në muajin tetor. Por, të tjera incidenteve u është kushtuar pak vëmendje.
Vetëm dy muaj përpara sulmit me armë ndaj sinagogës, një tjetër mbështetës i pikëpamjeve të supremacisë së bardhë, Joden Rocco, goditi me thikë një afrikano-amerikan 24-vjeçar jashtë një bari në Pitsburg. Në një video të postuar në Instagram përpara vrasjes, Rocco thotë se po provonte se sa herë mund të shante afrikano-amerikanët përpara se ta nxirrnin nga bari.
“Çdo vit ka incidente të tilla ku një person vdes, ose ndonjëherë dy persona, por që nuk ishte një situatë me viktima në masë..., ose që ka tërhequr vëmendje me vrasje të kryer nga një ekstremist. Dikush vdes. Pati një viktimë. Një jetë u humb”, thotë zoti Pitcavage.
Ndër incidentet e panjoftuara gjerësisht janë:
Në janar 2018, Samuel Wooward vrau me thikë Blaze Bernstein, një student herbe homoseksual. Hetuesit gjetën material homofobik dhe neo-nazist në celularin e Woodward-it, ndër të tjera edhe material për grupin e dhunshëm të urrejtjes “Atomwaffen”.
Në tetor, Gregory Bush, një i papunë i bardhë në qytetin Lousiville, të shtetit Kentaki, vrau në një supermarket dy afrikano-amerikanë, të moshës 67 dhe 69 vjeç.
Në nëntor, Sott Paul Beierle, i cili kishte postuar në internet video seksiste dhe raciste, vrau dy gra dhe plagosi katër të tjera në një studio joge në qytetin Tallahassee, të shtetit Florida.
Krahas qendrës ADL, një tjetër organizatë kërkimore ka njoftuar rritje të vrasjeve ekstremiste gjatë vitit të kaluar, megjithëse në shifra më të ulëta. Qendra për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë në San Bernardino gjurmoi 22 vrasje të motivuara ideologjikisht gjatë vitit 2018, ndër to 17 të kryera nga supremacistë të bardhë. Një rritje me 15 vrasje më shumë se një vit më parë.
Qendra Ligjore Jugore për Varfërinë (SPLC), e cila studion grupet e urrejtjes, tha se të paktën 40 persona u vranë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada nga “individë që ishin të motivuar ose të tërhequr prej ideologjive të së djathtës së largët”. SPLC-ja tha se 2018-ta ishte viti më vdekjeprurës me viktima të ekstremizmit të krahut të djathtë.
“Po shikojmë dhunë të madhe nga njerëz që influencohen nga supremacia e bardhë dhe ekstremizmi i këtij lloji”, thotë Heidi Beirich, drejtore projekti në SPLC.
Presidenti Donald Trump tha rishtazi se ai nuk mendon se nacionalizmi i bardhë ishte një problem në rritje, në vijim të masakrës në Zelandën e Re nga nacionalisti i bardhë Brenton Tarrant që shkaktoi 50 viktima në radhët e besimtarëve myslimanë të dy xhamive.
Por, organizata SPLC thotë se nacionalizmi i bardhë është në rritje. Ajo njoftoi se numri i grupeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara u rrit në shifrën rekord prej 1020, ndër to grupe nacionaliste të bardha dhe afrikano-amerikane.
Jo të gjithë nacionalistët e bardhë janë të dhunshëm. Por, ekspertët thonë se ata që ushtrojnë dhunë në emër të nacionalizmit të bardhë, veprojnë prej frikës se emigracioni drejt vendeve perëndimore po mbjell farën e një “genocidi ndaj të bardhëve”.
“Nëse shikoni rastin e autorit të vrasjeve tragjike në Zelandën e Re, ai flet vazhdimisht për të bardhët që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre”, thotë zonja Beirich.
Me këtë frikë demografike që e nxit dhunën, zonja Beirich thotë se problemi nuk ka gjasa të zbehet.
“Tendencat demografike që ata i shohin si shkatërrimtare, nuk do të ndryshojnë”, thotë zonja Beirich.
Facebook Forum