Lidhje

Pelosi: Nuk ia vlen të merremi me shkarkimin e Presidentit


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi tha se ideja për të filluar një proces për shkarkimin e Presidentit Donald Trump “nuk ia vlen”.

Në një intervistë që dha të hënën për gazetën “Washington Post”, zonja Pelosi tha se Donald Trump është i papërshtatshëm nga ana etike dhe intelektuale për Shtëpinë e Bardhë.

Por ndërsa Komisionet e Kongresit të udhëhequra tani nga demokratët, kanë filluar një sërë hetimesh ndaj zotit Trump, ndaj fushatës dhe praktikave të tij të biznesit, zonja Pelosi tha se ajo mendon që thirrjet për të filluar një proces për shkarkimin e Presidentit, janë negative për vendin.

"Procesi për shkarkimin e Presidentit krijon përçarje të madhe në vend dhe unë mendoj që nëse nuk ekziston një çështje vërtet e rëndësishme që të mbështetet nga të dyja partitë, nuk është mirë t’i hyjnë këtij procesi, sepse ai krijon përçarje në vend”, - tha zonja Pelosi.

Zonja Pelosi tha se klima politike tani është më e përçarë se kurrë më parë gjatë viteve që ajo është ligjvënëse në Uashington. Ajo fajësoi për këtë Presidentin Trump si dhe republikanët në Kongres që e kanë mundësuar këtë situatë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se fokusi i punës së saj janë zgjedhjet e vitit 2020: për të marrë kontrollin e Senatit nga republikanët, ruajtja e shumicës në Kongres dhe fitorja e zgjedhjeve presidencuiale nga partia demokrate.

Ajo tha se ndër këto tre synime, më me rëndësi është të ketë një demokrat që ta mundi zotin Trump në zgjedhje, për shkak të asaj që ajo e cilësoi mosërfillje ndaj vlerave të vendit dhe Kushtetutës, si dhe përsa i përket qëndrimit të zotit Trump ndaj NATO-s dhe marrëveshjes së Parisit për klimën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG