Lidhje

Në prag të fjalimit të Presidentit Donald Trump mbi gjendjen e vendit


Këtë javë, Presidenti Donald Trump mban fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit në një Kongres shumë të ndryshëm dhe më luftarak sesa ai në të cilin foli vitin e kaluar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës thotë se fjalimi i së martës vjen ndërsa afrohet një afat tjetër për financimin e qeverisë - dhe një javë pasi krerët e agjencive amerikane të zbulimit kundërshtuan pohimet e presidentit mbi Sirinë, Korenë e Veriut dhe Iranin.

Kanë kaluar nëntë vjet që kur Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi drejtoi seancën për fjalimin mbi gjendjen e vendit në Kongres. Ndërsa brohoriti me ngazëllim në vitin 2010 planin e punës së parashtruar në Kongres nga ish presidenti Barak Obama, sot demokratja e Kalifornisë vazhdon të qëndrojë e palëkundur ndaj kërkesës kryesore të Presidentit Donald Trump.

"Nuk do të ketë fonde për murin në buxhet".

Por edhe presidenti Trump nuk po epet, duke thënë se barrierat fizike duhet të shtrihen përgjatë kufirit me Meksikën.

"Nëse nuk ka mur, kufiri nuk funksionon. Ajo po luan lojëra. Në se nuk ka mur, s’ka kufi. dhe ne do ta ndërtojmë murin tani".

Një komision dypartiak i të dy dhomave, ka më pak se dy javë kohë për të hartuar një propozim për sigurinë kufitare si pjesë e një pakete të shpenzimeve që duhet të kalojë në ligj deri në 15 shkurt ose do të fillojë një tjetër mbyllje e pjesshme e qeverisë.

"Mbyllja e qeverisë nga zoti Trump ishte e tmerrshme. Pas 35 ditësh, një numër më i madh i amerikanëve kanë një vlerësim më të mirë për punën e madhe që bëhet nga punonjësit tanë federalë në mbështetje të sigurisë sonë kombëtare dhe ekonomike, shëndetit publik dhe jetës së përditshme", tha senatori demokrat Ben Cardin.

"Jam dakor me çdo variant që funksionon, që do të thotë të shmanget një mbyllje e qeverisë dhe të shmanget mundësia që presidenti të deklarojë një emergjencë kombëtare. Saktësisht se si do të arrihet aty, siç e dini të gjithë, ka qenë mjaft sfiduese", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

Deri tani, presidenti Trump ka lënë të kuptohet se mund të anashkalojë Kongresin dhe të urdhërojë ndërtimin e barrierave kufitare pas shpalljes së një emergjence kombëtare. Ligjvënësit e të dyja palëve do të dëgjojnë me vëmendje fjalimin e presidentit për të kuptuar diçka më shumë. Anëtarët e Kongresit gjithashtu duan hollësi për çështjet e ngutshme ndërkombëtare.

"Kemi fituar ndaj ISIS-it", ka thënë presidenti Trump.

Javën e kaluar, arsyetimi i presidentit Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria pësoi një goditje të rëndë nga shefi i tij i zbulimit.

"ISIS synon ri-grupohet dhe ende ka në komandë mijëra luftëtarë në Irak dhe Siri", tha drejtori i agjencisë kombëtare të zbulimit Dan Coats.

Dhe, ndërsa presidenti përgatitet për një samit tjetër me Kim Jong Unin e Koresë së Veriut, erdhi një paralajmërim nga CIA:

"Regjimi është i angazhuar për zhvillimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi që do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara", tha drejtoresha e CIA-s Gina Haspel.

Presidenti Trump do të ketë lajme të mira ekonomike për të trumpetuar. Muajin e kaluar u krijuan më shumë se 300,000 vende pune ndërsa papunësia është vetëm katër për qind.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG