Në garën për postin e guvernatorit në Xhorxha, mes demokrates Stacey Abrams dhe republikanit Brian Kemp, çështja e shtypjes së votës është në qendër të vëmendjes, ndërsa vendi ndjek fushatën që po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Korrespondentja, Deborah Bloom njofton nga Atlanta:
Disa votues nga Xhorxha po i bëjnë thirrje republikanit Brian Kemp që të jape dorëheqjen.
Kandidati për guvernator është njëkohësisht zyrtari më i lartë i shtetit për zgjedhjet dhe po akuzohet se po frenon votën e afrikano-amerikanëve.
“Brian Kemp, prej shumë kohësh e ka shtypur votën në Xhorxha dhe ka ardhur koha që të japë dorëheqjen, veçanërisht për një garë zgjedhore ku është vetë kandidati kryesor”, thotë një protestuese.
Këto protesta filluan pasi zyra e zotit Kemp pezulloi regjistrimin për 53 mijë votues, sipas ligjit të rreptë të shtetit që kërkon “përputhje të plotë” të emrit me kartën e identitetit.
Shumica e tyre janë afrikano-amerikanë.
“Ai do që të na e mbyllë gojën. Ne jemi këtu t’i themi ‘jo’, që ai duhet të largohet nga detyra”, thotë një protestuese tjetër.
“Nuk do të pranojmë shtypjen e votuesve në Xhorxha”, thotë një tjetër.
Fushata e zotit Kemp thotë se të gjithë ata që janë në listën e të pezulluarve, gjithsesi do të jenë në gjendje të votojnë. Por kundërshtarja e tij, demokratja Stacy Abrams thotë se edhe paqartësia mund të ndikojë tek pjesëmarrja.
Zonjës Abrams, ish-udhëheqëse e legjislaturës së shtetit, i njihet merita për regjistrimin e mijëra votuesve të rinj nga pakicat.
“Ne po shkruajmë kapitullin e ardhshëm të së ardhmes së Xhorxhas, ku askush nuk mbetet i padukshëm, të gjithëve u dëgjohet zëri dhe të gjithë janë të frymëzuar”, thotë ajo.
Zonja Abrams përballet me një sfidë të vështirë si demokrate në një shtet konservator ku ajo shpreson të bëhet guvernatorja e parë grua afrikano-amerikane e shtetit.
Ajo e ka përqendruar më shumë fushatën në pjesët liberale, urbane të Xhorxhas, duke e vënë theksin në çështje si kontrolli i armëve, kujdesi shëndetësor dhe lehtësimi i taskave për familjet me të ardhura të ulëta.
“Nëse sëmuren, njerëzit duan të ketë kujdes shëndetesor të përballueshëm”, thotë një përkrahëse e zonjës Abrams.
“Banorët e pjesës rurale të Xhorxhas nuk kanë kujdes shëndetësor dhe kjo është një çështje ku na duhet dikush që të punojë me palën tjetër dhe Stacey është ky person”, thotë një tjetër përkrahës.
Zoti Kemp e quan kundërshtaren e tij "me ide të skajshme për Xhorxhan”, një mesazh që rezonon me votuesit konservatorë.
Platforma e tij përqendrohet tek shkurtimi i shpenzimeve shtetërore, zgjerimi i të drejtave për armëmbajtje dhe masat kundër imigracionit të paligjshëm dhe krimit.
Kandidat republikan për guvernator në Xhorxha
“Kjo është një luftë për atë që përfaqësion shteti ynë. Bashkohuni me ne”, tha ai në një tubim fushate.
Mbështetësit e tij thonë se ai është personi i duhur për Xhorxhan.
“Ai mbështet individët, bizneset individuale. Ai do që njerëzit të kenë më shumë mirëqenie, të jenë të suksesshëm”, thotë një përkrahës i zotit Kemp.
Ai ka mbështetjen e presidentit Donald Trump.
“Unë besoj se zoti Kemp beson dhe ecën në hapat e presidentit tonë, zotit Trump, dhe kjo është gjë e mirë”, thotë një përkrahës tjetër i tij.
Gara për postin e guvernatorit në Xhorxha po quhet “beteja e bazave”.
Dy kandidatë me ideologji diametralisht të kundërta, secili me synimin për t’u bërë guvernatori i ardhshëm i shtetit.
Facebook Forum