Lidhje

Uashingtoni pret me interes takimin Trump-Kim


Uashingtoni pret me interes takimin mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Ndërkohë drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, zyrtari që shkoi në emër të Presidentit Trump në Korenë e Veriut për një takimin paraprak me zotin Kim, përballet këtë javë me votimin në Senat për postin e Sekretarit të Shtetit.

Presidenti Trump e përshëndeti njoftimin e Phenianit se po ngrin programin bërthamor duke e quajtur “një lajm shumë të mirë” dhe “përparim të madh”. Mundësia e një zgjidhjeje me negociata ndaj një krize bërthamore që po përshkallëzohej me shpejtësi, ka ngjallur interes të madh tek anëtarët e Kongresit nga të dyja palët, megjithëse ata po tregohen të përmbajtur.

“Nëse mbështetet në realizëm të kthjellët dhe objektiva të qarta, është një përpjekje e vlefshme", tha senatori republikan Mitch McConnell.

“Është një synim i vlefshëm dhe ambicioz. Në fakt, të gjithë duhet të shpresojmë për një zgjidhje diplomatike të një konflikti dhjetravjeçar. Megjithatë nuk mund ta mohosh se takimi ka rreziqet e veta”, tha senatori demokrat Chuck Schumer.

“Jam i kënaqur që po takohen. Mendoj se të gjithë e shohim me përmbajtje dhe skepticizëm”, u shpreh senatori republikan Bob Corker.

Kreu i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë vë në dukje se Pheniani mund të rifillojë programin atomik në çdo moment dhe dyshon se zoti Kim ka vullnetin të ndalë në mënyrë të verifikueshme aktivitetet e raketave bërthamore dhe balistike.

“Ai e sheh faktin që ka armë bërthamore si mënyrë për të mbijetuar. Ai e pa se ç’ndodhi me ish-udhëheqësin e Libisë, Gadhafi. Gadhafi nuk është më gjallë sot sepse hoqi dorë nga armët bërthamore”.

Vetë zoti Trump, nuk po bën premtime. Ai shkruan në Twitter “Jam ende larg një zgjidhjeje përfundimtare për Korenë e Veriut, ndoshta gjërat do funksionojnë, ndoshta jo. Vetëm koha do ta tregojë”.

Pas takimit sekret në Korenë e Veriut, i emëruari për postin e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo përballet me një kundërshtim në rritje nga demokratët në senat. Por ai pritet të konfirmohet me një diferencë të vogël votash nga i gjithë Senati brenda kësaj jave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG