Lidhje

Reagime të forta ndaj planeve amerikane për rritjen e tarifave


Kina ka paralajmëruar për "ndikim të madh" në tregtinë globale, nëse presidenti amerikan Donald Trump vazhdon me planet e tij për të vendosur 25 për qind tarifa për çelik të importuar dhe 10 për qind për produktet e aluminit të importuar.

Wang Hejun, kreu i byrosë së hetimeve dhe kompensimeve në ministrinë e tregtisë së Kinës, tha në një deklaratë të premten vonë se tarifat do të "dëmtonin seriozisht mekanizmat multilaterale të tregtisë të përfaqësuara nga Organizata Botërore e Tregtisë dhe me siguri do të kenë ndikim të madh në rendin normal të tregtisë ndërkombëtare".

Zyrtari kinez shtoi se "nëse masat përfundimtare të Shteteve të Bashkuara dëmtojnë interesat kineze, Kina do të punojë me vendet e tjera të prekura në marrjen e masave për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e veta".

Ndërkohë, kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se planet tarifore të presidentit Trump ishin "absolutisht të papranueshme".

Trudeau tha të premten se është i përgatitur të "mbrojë industrinë kanadeze". Kanadaja është burimi më i madh i huaj i të dy materialeve mbi të cilat Shtetet e Bashkuara kërkojnë të vendosin tarifa. Ai paralajmëroi se tarifat gjithashtu do të dëmtonin konsumatorët dhe bizneset amerikane duke ngritur çmimet.

Bashkimi Europian u godit gjithashtu nga plani i Trump, siç dëshmohet nga paralajmërimi i Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker se BE-ja mund të përgjigjet duke taksuar produktet amerikane, si uiski burbon, xhinse blu dhe motoçikleta Harley-Davidson.

Zoti Juncker i tha medias gjermane se nuk i pëlqejnë fjalët "luftë tregtare". "Nuk mund të mos e shoh këtë si një sjellje luftarake," tha zoti Juncker.

Presidenti Trump më parë tha në Twitter: "Luftërat tregtare janë të mira dhe lehtë për të fituar".

Drejtori i Organizatës Botërore të Tregtisë, Roberto Azevedo, u përgjigj me qetësi duke thënë, "Një luftë tregtare nuk është në interesin e askujt".

Tregu i këmbimeve monetare u përgjigj me një rënie të vlerës së dollarit amerikan ndaj shumicës së monedhave të tjera kryesore. Ai përfundoi të premten në nivelin më të ulët në dy vjet kundrejt jenit. Euroja fitoi një gjysmë përqind vlerë ndaj dollarit të premten.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG