Rusia është e vendosur që të ndërhyjë në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin në Shtetet e Bashkuara, paralajmëruan të martën zyrtarët e lartë të zbulimit në vend.
Dan Coats, Drejtor i Zbulimit Kombëtar i tha Komisionit të Senatit për Zbulimin se Rusia i sheh zgjedhjet e nëntorit si "një objektiv të mundshëm për operacionet e saj të ndërhyrjes".Ai shtoi se zgjedhjet në vendet e huaja i ofrojnë mundësi Rusisë që të çojë përpara interesat e saj.
"Ne parashikojmë që Rusia do të vazhdojë të përdorë propaganda, media sociale, profile të rremë, persona që kanë simpati për të, si edhe mjete të tjera ndikimi në përpjekje për të nxitur përçarje sociale dhe politike në Shtetet e Bashkuara", shtoi ai. Mike Rodgers, Drejtor Agjencisë Kombëtare të Sigurisë tha se vendosmëria e Rusisë për të ndërhyrë në institucionet demokratike amerikane "nuk do të ndryshojë dhe as do të ndalet".
Zyrtarët e zbulimit thanë se ata ishin në një mendje me një vlerësimin e komunitetit të zbulimit se Rusia ishte përpjekur të ndikonte në zgjedhjet e vitit 2016, në favor të Presidentit Donald Trump.
Koreja e Veriut, kërcënimi më konfrontues
Zoti Coats tha se armët e shkatërrimit në masë të Koresë së Veriut përbëjnë një rrezik të madh për SHBA-në dhe aleatët e saj në të ardhmen e afërt.
"Koreja e Veriut do të jetë kërcënimi më i paqëndrueshëm dhe konfrontues i armëve të shkatërrimit në masë në vitin e ardhshëm", tha zoti Coats. "Përveç provave me raketa balistike dhe rritjes së numrit të raketave bërthamore, Koreja e Veriut do të vazhdojë programet e saj të afatgjatë për armë kimike e biologjike për qëllime lufte", tha ai.
Zoti Coats tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un është i vendosur të zhvillojë raketa bërthamore me rreze të gjatë veprimi të afta për të goditur SHBA-në, të cilat siç tha zoti Coats, Kim i konsideron të rëndësishme për sigurinë e vendit të tij.
"Kim ndoshta gjithashtu i sheh raketat balistike bërthamore ndërkontinentale si levë për të arritur ambicjet e tij afatgjata strategjike për t'i dhënë fund aleancës së Seulit me Uashingtonin dhe për të dominuar përfundimisht gadishullin Korean", tha ai
Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit Mike Pompeo, u tha ligjvënësve se SHBA dhe aleatët e saj "kanë ndërtuar një koalicion global që ushtron presion kundër Kim Jong-un dhe regjimin e tij të terrorit", dhe tha se ai do të publikojë më shumë informacion rreth planeve të koalicionit gjatë një seancë me dyer të mbyllura të komisionit.
Rusia, tha zoti Coats, do të vazhdojë të jetë "fuqia më e madhe armëve të shkatërrimit në masë" në botë ndërkohë që "po zgjeron aftësinë e saj të armëve bërthamore".
Sipas drejtorit të agjencisë Kombëtare të Zbulimit terrorizmi vazhdon të jetë një kërcënim i madh botëror, përfshirë dhe brenda kufijve të SHBA-së.
Facebook Forum