Shtetasit amerikanë dhe rezidentët e përhershëm që lanë shtëpitë e tyre për t’iu bashkuar grupeve luftuese në Siri dhe Irak duket se përbëjnë rrezik të ulët për vendin. Kështu konkludon një studim i ri që gjithashtu thotë se vetëm një pjesë e vogël e tyre kthehen nga lufta.
Studimi disa vjeçar i Programit për Ekstremizmin, në Universitetin George Washington, identifikoi 64 persona që u larguan nga Shtetet e Bashkuara për të mbështetur grupime si Shtetin Islamik, al Kaidën dhe grupe të tjera terroriste në Siri dhe Irak.
Prej tyre, vetëm 12 dihet se janë kthyer në SHBA. 9 prej tyre janë arrestuar dhe akuzuar për krime të lidhura me terrorizmin.
Asnjë prej tyre nuk ka arritur të kryejë një sulm në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Autorët e studimit shprehen se “rreziku që të kthyerit të angazhohen në sulme terroriste, ka qenë deri më sot i kufizuar”.
Studimi thotë se “nuk ka deri më tani ndonjë dëshmi të disponueshme për publikun që të sugjerojë se ndonjë mund të ketë rihyrë fshehurazi në SHBA pa dijeninë e autoriteteve. Ekstremistët e radikalizuar në vend janë më të prirur të kryejnë sulme xhihadiste, sesa ata që kthehen nga jashtë”.
Rreziku nga këta persona për Shtetet e Bashkuara ka qenë gjithnjë më i vogël krahasuar me rrezikun ndaj vendeve evropiane, pjesërisht për shkak të distancës më të madhe dhe vështirësive për t’iu bashkuar luftimeve.
Zyrtarë amerikanë të zbulimit kanë vlerësuar se nga mbi 40 mijë luftëtarë të huaj që udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut, vetëm 5 – 6 mijë ishin nga vendet perëndimore.
Numri i saktë i atyre që u larguan nga Shtetet e Bashkuara mbetet i paqartë. Zyrtarët kanë thënë se vetëm 250 – 300 persona nga SHBA-ja u larguan apo tentuan të largohen për t’iu bashkuar grupeve luftuese në Siri. Jo të gjithë prej tyre ja dolën mbanë.
Sipas studimit, të paktën 50 prej tyre, u arrestuan përpara se të largoheshin nga SHBA-ja.
Nga 64 personat për të cilët studimi konkludon se arritën të largohen nga vendi, 22 mendohet se kanë vdekur në Siri apo në Irak. Nuk është konfirmuar vendndodhja e 28-të tjerëve.
Studimi arriti të identifikojë një rast të vetëm, të një të kthyeri që u tentoi të kryejë një sulm në Shtetet e Bashkuara.
Ky është rasti i 23-vjeçarit Abdirahman Sheik Mohamud, nënshtetas amerikan me prejardhje nga Somalia, i cili la shtëpinë e tij në shtetin Ohio në vitin 2014, për t’iu bashkuar një dege të al Kaidas, të quajtur Jabhat al-Nusra.
Gjatë qëndrimit në Siri, ai u trajnua për të përdorur eksplozivë dhe për të përvetësuar taktikat e luftimit trup-me-trup, përpara se të dërgohej sërish drejt SHBA-së në qershor 2014, me objektivin e kryerjes së një sulmi.
Por, në shkurt 2015, ai u arrestua ndërsa ishte ende në fazat fillestare të planifikimit të sulmit. Ai pranoi fajësinë dhe u dënua me 22 vite burgim.
Përveç këtij rasti, ka patur edhe vetëm një rast tjetër, kur një person synonte të kryente një sulm, por ndërsa ndodhej në Siri, dhe jo në SHBA, nga ku ishte larguar për t’iu shmangur procesit hetimor.
Autorët e studimit thonë se të dhënat tregojnë se ka qenë e ekzagjeruar frika e mëparshme e zyrtarëve amerikanë për një “diasporë terroriste”.
Zyrtarët e anti-terrorit e kanë pranuar këtë gjë gjatë muajve të fundit, por thonë se qoftë edhe një pikë e vogël dyshimi lë vend për t’u shqetësuar.
Një zyrtar i kundërterrorizmit i tha Zërit të Amerikës se “aftësitë që ata kanë përfituar pas luftimeve në terren në Irak dhe Siri na bëjnë që ta ndjekim situatën me shumë vëmendje”.
Një tjetër shqetësim është se ata mund të shërbejnë si një fenomen përhapës dispropocional. Shqetësimi ekziston në veçanti për grupin Shteti Islamik, i cili ka dëshmuar se ka aftësinë të ruajë linjat e komunikimit edhe pasi u shpërbë kalifati i vetëshpallur.
Pra, edhe në studimin e Universitetin George Washington, ka baza për shqetësime.
Megjithëse në rastin e Abdirahman Sheik Mohamud, u dha një dënim mbi dy dekada burgim, bashkëautori i studimit Seamus Hughes thotë se dënimi mesatar për ata që udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar luftimeve është vetëm 10 vjet, pra edhe më pak se dënimi mesatar që u jepet atyre që arrestohen në aeroport përpara largimit.
Një pjesë e arsyeve për këtë fenomen janë vështirësitë në ngritjen e një çështjeje penale për aktivitete terroriste që ndodhin përtej oqeanit.
Zoti Hughes thotë se një tjetër faktor mund të jetë se të kthyerit mund të kenë patur shansin të ofrojnë informacion për hetuesit dhe zyrtarët e kundërterrorit, në shkëmbim të dënimeve më të lehta.
Sidoqoftë, si në rastin e xhihadistëve të ardhshëm, të kthyerit gjithashtu dikur do të lirohen nga burgu. Zoti Hughes dhe të tjerë shqetësohen se mungesa e programeve të çradikalizimit mund të lejojë për probleme të tjera në të ardhmen.
Studimi paralajmëron se nëse lihet pa u trajtuar ky aspekt, të kthyerit mund të rrisin rrjetet xhihadiste në SHBA, mund t’u ofrojnë të tjerëve njohuritë për mënyrat se si të largohen apo të kryejnë sulme, si dhe të shërbejnë si nyje rekrutimi të xhihadistëve të ardhshëm.
Facebook Forum