Lidhje

Ish agjenti i CIA-s arrestohet  për zotërim të paligjshëm të informacioneve të klasifikuara


Një ish-oficer i CIA-s u arrestua nën akuzat për zotërim në mënyrë të paligjshme të informacioneve që lidhen me sigurinë kombëtare, sipas një njoftimi të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

53 vjeçari Jerry Chun Shing Lee, i njohur si Zhen Cheng Li, u arrestua të hënën në mbrëmje ndërsa mbrriti në aeroportin ndërkombëtar John F. Kennedy të Nju Jorkut. Lee, që ka fituar shtetësinë amerikane me natyralizim dhe që aktualisht banon në Hong Kong, nisi të punonte si agjent i CIA-s në vitin 1994.

Ai bëri një paraqitje fillestare të martën në një gjykatë federale në Nju Jork, por me akuzat do të përballet në Virxhinia, atje ku ndodhet godina e CIA-s. Ai akuzohet për zotërim të paligjshëm të informacioneve që lidhen me mbrojtjen kombëtare dhe nëse shpallet fajtor, pritet të dënohet deri me 10 vjet heqje lirie. Ai do të mbahet në gjendje arresti në pritje të gjykimit.

Departamenti i Drejtësisë tha se në vitin 2012 agjentët e FBI-së kontrolluan dhomat e tij në disa hotele ku kishte kishte qëndruar gjatë udhëtimeve të tij në Virxhinia dhe Havai dhe gjetën dy blloqe shënimesh me dorë që mbanin informacione të klasifikuara. Aty përfshiheshin "numra telefoni të pronave dhe emra të punonjësve të fshehtë të CIA-s, shënime operative, vendndodhja e takimeve operative si dhe objekteve të fshehta".

Sipas një dëshmie nga një agjent i FBI-së, Lee ishte intervistuar nga Buroja Federale e Hetimit pesë herë në vitin 2013 dhe në asnjë nga rastet nuk kishte bërë të ditur se zotëronte këto blloqe shënimesh. Sipas Departamentit të Drejtësisë, gjatë asaj periudhe ai ishte takuar edhe me ish-kolegë të tij të CIA-s por nuk i kishte kthyer materialet qeverisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG