Lidhje

Koreja e Veriut dominon bisedimet Trump-Abe


Koreja e Veriut ka dominuar dy ditët e bisedimeve mes kryeministrit japonez Shinzo Abe dhe presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri Abe u tha gazetarëve sot se të gjitha opsionet janë në tryezë për t'iu përgjigjur programit të armëve të Koresë së Veriut, ndërsa presidenti Trump ritheksoi se qeveria amerikane qëndron në solidaritet me aleatët në rajon, veçanërisht Japoninë.

Duke qëndruar përkrah presidentit amerikan në Pallatin Akasaka në Tokio, kryeministri japonez tha se tani “dialogu me Korenë e Veriut nuk ka kuptim” dhe se ka ardhur koha për të ushtruar presion maksimal ndaj Phenianit.

"Së bashku me presidentin Trump, konfirmuam se qëndrojmë plotësisht të bashkuar në çështjet që lidhen me situatën në Korenë e Veriut. Japonia dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku për të biseduar me vendet e tjera, përfshi Kinën dhe Rusinë, për të shtuar presionin nga bashkësia ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut", tha kryeministri Abe.

Presidenti Trump i quajti provat bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike nga Koreja e Veriut mbi territorin japonez, kërcënim për paqen dhe qëndrueshmërinë ndërkombëtare.

"Ne nuk do ta tolerojmë këtë. Periudha e durimit strategjik ka mbaruar. Disa njerëz thonë se retorika ime është shumë e fuqishme, por shikoni çfarë ka ndodhur me retorikën shumë të dobët të 25 viteve të fundit", tha presidenti Trump.

I pyetur për popullin e Koresë së Veriut, presidenti amerikan shprehu shpresën për një zgjidhje të situatës.

"Ata jetojnë nën një regjim shumë shtypës dhe me të vërtetë mendoj se në fund të fundit, shpresoj se kriza do të zgjidhet. Do të jetë më mirë për të gjithë", tha presidenti.

Presidenti Trump vuri në pah gjithashtu, mijëra trupat amerikane të vendosura në Japoni dhe tha se pret që qeveria japoneze të blejë sasi të mëdha pajisjesh ushtarake amerikane që do të ndihmojnë në mbrojtjen kundër raketave të Koresë së Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG