Delegatët që përfaqësojnë dy qytetet kryesore kandidate për organizmin e Lojërave Olimpike, Los Anxhelosin dhe Parisin, janë mbledhur në Lozanë të Zvicrës, për të paraqitur argumentet e tyre përpara Komitetit Olimpik për t’u përzgjedhur si qyteti organizator. Pritet që për herë të parë në historinë e tij, Komiteti Olimpik të ndryshojë rregulloren, duke njoftuar njëkohësisht përzgjedhjen e vendeve që do të organizojnë dy Lojra Olimpike, ato të vitit 2024 dhe 2028.
Në Qendrën e Konventave “SwissTech” në Lozanë të Zvicrës janë mbledhur delegatë nga dy qytetet kryesore që konkurrojnë për të marrë organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2024, Los Anxhelosi dhe Parisi. Delegacionet bëjnë sot prezantimin e tyre përfundimtar për anëtarët e Komitetit Olimpik ku paraqesin argumentet e tyre në favor të qytetit që përfaqësojnë.
Delegacioni i Los Anxhelosit kryesohet nga kryetari i bashkisë së qytetit dhe ka në radhët e tij edhe sportistë me famë botërore, si rekordmeni Michael Johnson, i cili thekson se qyteti i Los Anxhelosit e ka të gatshme të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
“Nëse shikoni kandidaturat e qyteteve në të kaluarën, ju kujtohet se u është dashur të ndërtojnë komplekse të reja me shpenzime të jashtëzakonshme. Mendoj se Los Anxhelosi e shmang krejtësisht këtë aspekt, duke qenë se e ka gati të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Madje nuk na duhet as të ndërtojmë një Fshat Olimpik, pasi e kemi gati”, tha rekordmeni Michael Johnson.
Ndërsa, delegacioni i Parisit kryesohet nga vetë Kryeministri i ri i Francës, Emmanuel Macron, i cili e konsideron tepër të rëndësishëm marrjen e organizimit të Lojërave Olimpike si një mënyrë rigjallërimi të qytetit të tronditur nga sulmet terroriste.
“.. Jam këtu për të transmetuar gatishmërinë e plotë të gjithë kombit francez, përkushtimin e autoriteteve franceze për këtë projekt. Është punuar shumë dhe jemi të përgatitur. Populli francez është gati të mirëpresë Lojërat Olimpike...”, deklaroi Presidenti francez Emmanuel Macron.
Komiteti Olimpik pritet të votojë për të ndryshuar rregulloren, duke mundësuar dhënien e njëkohshme për herë të parë në historikun e tij, të dy Lojërave Olimpike, atyre të vitit 2024 dhe 2028. Mendohet se kjo do të ishte një zgjidhje për t’i kënaqur të dyja qytetet kandidate, Los Anxhelosin dhe Parisin, ndërkohë që përfaqësuesit e tyre kanë deklaruar se preferojnë të përzgjidhen për organizimin e lojërave të vitit 2024.
Facebook Forum