Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, FBI-së dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare theksuan në fundjavë se shumë nga mjetet ajrore që janë parë së fundmi në Nju Xhersi dhe shtete të tjera dhe për të cilat është raportuar se janë dronë, ishin avionë normalë me pilot dhe se nuk ka prova për ndonjë kërcënim të sigurisë kombëtare.
Një zyrtar i FBI-së u tha gazetarëve në një konference shtypi se agjencia e tij po punon me 50 partnerë lokalë, shtetërorë dhe federalë për të analizuar raportimet e shtuara.
Zyrtari tha se më pak se 100 nga mbi 5,000 pamjet e raportuara kishin rezultuar të justfikonin hetime të mëtejshme dhe se të gjitha pamjet e raportuara të mjeteve të mëdha ishin avionë me pilot.
Ai tha se nuk është "gjetur asnjë provë që të tregojë se ka aktivitete në shkallë të gjerë [të sistemeve ajrore pa pilot]”.
Për rastet e mbetura po bëhen përpjekje intensive për t’i hetuar, duke përdorur intervista dhe analiza të radarëve dhe zbulimit, shtoi zyrtari.
"Ne nuk mund t’i injorojmë pamjet," tha zyrtari. “Ne po bëjmë çmos për të zbuluar origjinën e këtyre aktiviteteve me dron, por mendoj se ka reagimi ka qenë disi i ekzagjeruar”.
Në mes të nëntorit filluan një numër raportimesh për pamje dronësh në hapësirën e Nju Xhersit të cilat ditët e fundit përfshinë edhe Merilendin, Masaçusetsin dhe shtete të tjera.
Ato kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe kanë nxitur krijimin e një faqeje në Facebook të quajtur "Dronët Misteriozë në Nju Xhersi - le të gjejmë një zgjidhje" me 56,000 anëtarë në internet.
Presidenti amerikan Joe Biden po merr përditësime të rregullta mbi këtë çështje, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.