Ambasadori britanik në SHBA, Kim Darroch, i cili dha dorëheqjen të mërkurën, largohet në një klimë polemike mes dy vendeve.
Ambasadori e dha dorëheqjen pas komenteve të bëra prej tij lidhur me Presidentin Donald Trump në kabllogramet e klasifikuara drejtuar qeverisë britanike, të cilat u nxorën në media të dielën.
Më pas Presidenti Trump shprehu pakënaqësinë e tij si ndaj zotit Darroch ashtu edhe ndaj kryeministres britanike në largim Theresa May.
Kim Darroch, diplomat karriere, ka qenë ambasadori britanik në Uashington që nga viti 2016. Fundjavën që kaloi, gazeta Daily Mail bëri publike kabllogramet sekrete në të cilat zoti Darroch e quante Presidentin Trump "të pasigurt" dhe "të paaftë".
Presidenti Trump u përgjigj të hënën në Twitter me fyerje ndaj ambasadorit dhe me komente të pafavorshme ndaj kryeministres në largim Theresa May për mënyrën e trajtimit të procesit Brexit prej saj.
Duke folur në Parlament, zonja May e vlerësoi ambasadorin;
"Zoti Kryetar, sot në mëngjes bisedova me Sir Kim Darroch. I thashë se është një keqardhje e madhe që ai e ndien të nevojshme të largohet nga posti si ambasador në Uashington. Zoti Darroch i ka shërbyer gjithë jetën Mbretërisë së Bashkuar dhe ne i kemi atij një borxh të madh mirënjohjeje."
Anëtarët e Parlamentit i dhanë ambasadorit mbështetje të gjerë.
Jeremy corbyn, udhëheqësi i opozitës Britanike, tha:
"Mendoj se Dhoma duhet të jetë e bashkuar për të shprehur keqardhjen e thellë që ai ndjen se duhet të largohet.”
Të hënën, gjatë një debati në Mançester, kandidatët kryesorë për kryeministër të Britanisë folën për pasojat e nxjerrjes në media të kabllogrameve sekrete.
"Ndonjëherë ka gjëra që ju duhet t'ua thoni miqve tuaj edhe pse nuk ju vjen mirë. Për shembull sot unë ia thashë Presidentit Trump që komentet e tij për zonjën Theresa Maj ishin të papranueshme dhe nuk mendoj se ai duhet t'i kishte bërë ato", tha Jeremy Hunt, Sekretar i Jashtëm Britanik.
"Mendoj se është absolutisht e domosdoshme që këshillat që ambasadorët u japin ministrave të mos rrjedhin në media dhe të mos komentohen nga ministrat, nëse duam që këta ambasadorë të ndihen të lirë për të dhënë këshilla me paanshmëri,” tha Boris Johnson, ish-ministër i Jashtëm.
Në Uashington kongresmeni Adam Schiff, një kritik i zëshëm i Presidenti Trump, bëri një deklaratë, ku thoshte se “përpjekjet e presidentit për të frikësuar aleatët dhe diplomatët e tyre, minojnë punën e diplomatëve që ne dërgojmë jashtë për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara."
Ish diplomati amerikan, Alexander Vershbow, u bëri jehonë fjalëve të kongresmenit:
"Ky sigurisht është një shembull shumë i keq, pra kur kreu i Shteteve të Bashkuara është në gjendje që në thelb të dëbojë ambasadorin e aleatit tonë më të afërt".
Zonja Theresa May do të largohet nga posti pas zgjedhjes së pasardhësit të saj, me gjasë në pak javët e ardhshme. Ndërkohë, zyra e saj ka kërkuar një hetim për të gjetur se kush i nxorri në media kabllogramet sekrete.