Autoritetet në Minesota e përcaktojnë "vrasje" vdekjen e Xhorxh Floyd-it

Një protestues në Minneapolis përpara kordonit të policisë

Zyrtarët e shtetit të Minesotës e përcaktuan vdekjen e Xhorxh Floydit si vrasje, duke thënë se ai pësoi humbje të rrjedhjes së gjakut për shkak të shtypjes në qafë kur po mbahej me forcë nga policia e Minneapolisit.

Afrikano-amerikani 46-vjeçar, vdiq javën e kaluar kur ishte në pranga, ndërkohë që oficeri i bardhë, Derek Chauvin, i mbajti gjurin në qafë për disa minuta. Vdekja e tij, e kapur në video, është bërë shkak për protesta kaotike në dhjetëra qytete amerikane, disa prej të cilave janë shndërruar në dhunë.

Në raportin mjeko-ligjor të Qarkut Hennepin thuhet se George Floyd vdiq nga "arresti kardiopulmonar si komplikacion i shtypjes mbi qafë nga ana e forcave ligjzbatuese. Aty thuhet gjithashtu se Floyd vuante nga sëmundje të zemrës, intoksikim me fentanil dhe përdorimi i metamfetaminës kohët e fundit, por nuk i rendiste këta faktorë në shkakun e vdekjes. Raporti rrëzon gjetjet paraprake sipas të cilave vdekja e Floydit ishte rezultati i kombinuar i faktit që ai ishte vënë poshtë nga policia dhe i gjendjes shëndetësore plus intoksikantët e mundshëm në trupin e tij. Pak orë para kësaj, një autopsi e porositur nga familja nxirrte se vdekja e tij ishte shkaktuar nga asfiksimi, duke e përcaktuar si vrasje.

Vdekja e Floyd-it ka çuar në protesta në mbarë Shtetet e Bashkuara, të cilat vazhduan edhe mbrëmë, të shoqëruara me skena dhune dhe plaçkitjesh. Protestat kanë ndjekur një model të ngjashëm në dhjetëra qytete, ku fillimisht me mijëra njerëz kanë dalë për të protestuar paqësisht, por më vonë disa nga njerëzit në turmë i janë kthyer dhunës. Policia përdori mburojat, shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës ndërsa disa demonstrues ndezën zjarre dhe shkatërruar vitrina dyqanesh.