UASHINGTON - Zyrtarët që mbikqyrin sigurinë e zgjedhjeve amerikane po shprehin besimin e tyre, ndërsa votuesit në mbarë vendin i janë drejtuar vendvotimeve për të hedhur votën e tyre për të zgjedhur presidentin e vendit, si dhe një sërë zyrtarësh të tjerë në nivelin e shteteve amerikane dhe në nivel lokal.
Miliona amerikanë pritet të votojnë fizikisht të martën, e cila është edhe dita e fundit që shtetasit amerikanë mund të votojnë, krahas mbi 100 milionë shtetasve që votuan nëpërmjet postës ose tek qendrat e votimit të hershëm.
Megjithë treguesit se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara mund të përpiqen të shkaktojnë konfuzion gjatë procesit elektoral, evidenca fillestare tregon se përpjekjet e tilla nuk kanë arritur të kenë ndonjë ndikim.
"Nuk kemi tregues se ndonjë kundërshtar i huaj mund të ketë arritur të kompromentojë apo ndikojë tek votat e hedhura gjatë këtyre zgjedhjeve", tha Sekretari i Sigurisë Kombëtare në detyrë, Chad Wolf, vetëm pak pasi kishin hapur dyert qendrat e para të votimit.
"Infrastruktura jonë zgjedhore është e fortë", tha ai. "Por, ne duhet të vazhdojmë në gjendje gatishmërie të lartë".
Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar tashmë të paktën dy përpjekje për të depërtuar në sistemet që shihen si kritike për zgjedhjet gjatë javëve të fundit, një nga Irani dhe një nga Rusia.
Në të dyja rastet, hakerët mundën të vjedhin të dhënat e regjistrit të votuesve. Madje hakerët iranianë arritën të infiltrohen në një bazë të dhënash të një shteti amerikan dhe e përdorën informacionin e marrë gjatë fushatës së tyre dezinformuese.
Megjithatë, zyrtarët thanë të martën se sulmet u neutralizuan me shpejtësi dhe se nuk do të kishin ndonjë ndikim tek rezultati i zgjedhjeve.
"Nuk u ndryshuan të dhënat e votuesve", tha një zyrtar i lartë i Agjensisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA) gjatë një telefonate me gazetarët të martën.
"Vazhdojmë të kemi besim tek siguria e votës, numërimi i votave dhe procesi i çertifikimit të rezultatit", tha zyrtari duke folur në kushte anonimiteti.
Disa qendra votimi raportuan radhë të gjata në orarin e çeljes për votuesit, megjithëse faqja në internet electiononline.org, e cila e përshkruan veten si jopartiake, tha se kjo ndodhi kryesisht për shkak të volumit të lartë të votuesve.
Qendra të tjera votimi në Nju Jork, Xhorxhia, Indiana dhe Ohajo përjetuan një sërë problemesh teknike.
Në qarkun Franklin, të shteti Ohajo, zyrtarët zgjedhorë u detyruan të mos përdorin më regjistrat elektronikë që ndihmojnë në mbajtjen e të dhënave të votuesve dhe për t'u siguruar që ata nuk votojnë dot dy herë. Ata vendosën të përdorin regjistrat në letër.
Por, zyrtarët federalë thanë se incidente të tilla nuk duhet të jenë një arsye për alarmim.
"(Nuk ka) tregues për ndonjë lloj aktiviteti malinj kibernetik", tha një zyrtar i dytë i CISA-s, që gjithashtu foli në kushte anonimiteti.
Ai i përshkroi çështjet si "sfida tipike me teknologjinë zgjedhore".
"Me qindra mijëra vendvotime, do të ketë disa (probleme)", shtoi zyrtari.
Megjithatë, zyrtarët e sigurisë së zgjedhjeve amerikane paralajmëruan amerikanët të qëndrojnë vigjilentë, duke paralajmëruar se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara, si Rusia, Kina dhe Irani, mund të jenë duke pritur derisa të mbyllet votimi për të filluar sulme më serioze.
"Nuk kemi dalë ende nga rreziku", tha Drejtori i CISA-s, Christopher Krebs.
"Sot në një farë kuptimi është gjysma e parë e lojës. Mund të ketë ngjarje ose aktivitete të tjera, ose përpjekje për të ndërhyrë dhe dëmtuar besimin tek zgjedhjet", tha ai. "Prandaj, unë kërkoj nga të gjithë amerikanët që të jenë të durueshëm, për t'i trajtuar të gjitha pretendimet e bujshme me skepticizëm".
Zyrtarët e kundërzbulimit kanë qenë veçanërisht të shqetësuar në lidhje me operacionet e vazhdueshme të ndikimit, duke paralajmëruar se Rusia, Kina dhe Irani në veçanti, kanë vendosur në objektiv në mënyrë aktive amerikanët, duke u përpjekur të zmadhojnë ndasitë ekzistuese politike dhe të nxisin mosbesimin në procesin zgjedhor.
Zyrtarët gjithashtu akuzojnë të tre vendet për përpjekjen për të ndikuar në rezultatin e garës presidenciale amerikane, duke u përpjekur të ndihmojnë ose të dëmtojnë kandidaturat e Presidentit Donald Trump ose ish-Nënpresidentit Joe Biden.
Por ata gjithashtu thonë se rreth 30 vende janë përpjekur të ndikojnë në zgjedhje, një listë që përfshin vende aleate të Shteteve të Bashkuara, si Arabia Saudite dhe Turqia dhe vende kundërshtare si Kuba dhe Venezuela.
Që nga e marta herët, zyrtarët thanë se ishin të vetëdijshëm për të paktën një fushatë dezinformimi që synonte votuesit kinezo-amerikanë dhe po punonin me agjenci të tjera qeveritare dhe kompani të mediave sociale për ta menaxhuar.
Sipas faqes jofitimprurëse investigative ProPublica, të paktën njëzet e katër grupe në aplikacionin e mediave sociale me pronësi kineze WeChat po përpiqeshin të frikësonin votuesit duke përhapur zëra se zyrtarët amerikanë do të mobilizonin ushtrinë për të shtypur trazirat që po afrojnë.