Presidenti Donald Trump e quajti 'pa shtyllë kurrizore' autorin anonim të një shkrimi të botuar nga gazeta Nju Jork Tajms në rubrikën e opinioneve, i cili duke pretenduar se është zyrtar i lartë i administratës, flet për një rezistencë brenda Shtëpisë së Bardhë kundër kreut të administratës.
Autori i shkrimit, i cili thotë se punon për Presidentin Trump, thekson se shumë zyrtarë të lartë të administratës po veprojnë me seriozitet nga brenda për të sabotuar pjesë të axhendës së tij dhe prirjet më të këqia personale të tij.
Pak orë pas publikimit të shkrimit, Presidenti Trump reagoi në Twitter: "A ekziston vërtet 'zyrtari i lartë i administratës', apo është gazeta e dështuar Nju Jork Tajms që del me një burim të rremë? Nëse ky person anonim pa shtyllë kurrizore vërtet ekziston, gazeta Nju Jork Tajms, për qëllime të sigurisë kombëtare, duhet t'ia dorëzojë atë menjëherë qeverisë", shkruante ai. Në një tjetër koment në Twitter, presidenti pyeste me gërma të mëdha: "TRADHTI?"
Autori anonim i opinionit në Nju Jork Tajms e quan presidentin 'amoral' dhe shkruan se “përveç marketimit masiv të idesë se shtypi është ‘armiku i popullit’, impulset e Presidentit Trump janë përgjithësisht anti-tregtisë dhe anti-demokratike.”
“Mos më keqkuptoni, - shkruan ai. - Ka edhe pika pozitive që mbulimi thuajse i pandërprerë negativ i administratës nuk i vë në dukje: heqja e rregullave të tepruara, reforma historike e sistemit të taksave, fuqizimi i mëtejshëm i ushtrisë dhe të tjera. Por këto suksese kanë ardhur jo si rrjedhojë e stilit drejtues të Presidentit, i cili është impulsiv, konfliktual, meskin dhe i paefektshëm”.
“Shqetësimi më i madh, - shkruan autori, - nuk është ajo që zoti Trump i ka bërë presidencës, por ajo që ne si komb e kemi lejuar të na bëjë. Ne jemi zhytur poshtë bashkë me të dhe kemi lejuar që diskursi ynë të zhvishet nga qytetaria.”
Sjellja e paparashikueshme e Presidentit, thotë autori anonim, do të kishte qenë edhe më shqetësuese po të mos ishin “heronjtë e heshtur brenda dhe rreth Shtëpisë së Bardhë”.
“Disa prej ndihmësve të tij janë përshkruar si njerëz të këqinj nga mediat. Por privatisht, ata kanë bërë ç’është e mundur për të mos lejuar që vendimet e gabuara të dalin nga muret e Shtëpisë së Bardhë, megjithëse jo gjithnjë kanë patur sukses.”
Si rrjedhojë, shkruan ai, presidenca funksionon në dy pista.
“Merrni politikën e jashtme: Publikisht dhe privatisht, Presidenti Trump shfaq një preferencë për autokratët dhe diktatorët, si Presidenti Vladimir Putin i Rusisë ose udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dhe tregon pak vlerësim të sinqertë për marrëdhëniet që na lidhin me aleatët, me vendet që mendojnë si ne. Megjithatë, vëzhguesit e mprehtë kanë vënë re se pjesa tjetër e administratës punon në një pistë tjetër, ku vende si Rusia kritikohen publikisht për ndërhyrje dhe si rrjedhojë ndëshkohen dhe ku aleatët kudo në botë mbahen afër si të barabartë e nuk vihen në lojë si rivalë.”
Gazeta Nju Jork Tajms thotë se me kërkesë të autorit ka ndërmarrë hapin e pazakontë për të botuar këtë shkrim anonim, pasi puna e tij në administratë do të vihej në rrezik nëse emri publikohej.
Në reagimin e saj të mërkurën mbrëma, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, kritikonte gazetën dhe e quante frikacak autorin e shkrimit anonim:
“Jemi të zhgënjyer, por jo të habitur, - shkruante ajo - që gazeta ka zgjedhur të publikojë një shkrim të tillë të ulët, të papërgjegjshëm dhe egoist… Personi prapa këtij shkrimi ka marrë përsipër të mashtrojë në vend që të mbështesë presidentin e zgjedhur me proces të rregullt të Shteteve të Bashkuara. Ky frikacak duhet të bëjë gjënë e duhur dhe të japë dorëheqjen.”
“Presidenti Trump ka një program të guximshëm dhe ambicioz. Çdo ditë që nga ardhja në detyrë, ai ka përmbushur premtimet e bëra,” - thuhet në reagimin e Shtëpisë së Bardhë.