Zyrtarët diskutojnë rreth shqetësimeve amerikane për sigurinë bërthamore

  • Dan Robinson

Zyrtarët diskutojnë rreth shqetësimeve amerikane për sigurinë bërthamore

Presidenti Barak Obama tha të henën se Shtetet e Bashkuara po bëjnë gjithçka të mundur për të ndihmuar Japoninë pas tërmetetit dhe cunamit që goditën atë vend javën e kaluar duke shkaktuar mes të tjerash edhe probleme në centralet bërthamore. Ndërkohë zyrtarët amerikanë po diskutojnë se sa do të ndikojnë ngjarjet që ndodhën në Japoni për prodhimin e energisë nga centralet bërthamore në Shtetet e Bashkuara.

Fuqia bërthamore është një komponent i rendësishëm në prodhimin e energjisë në Shtetet e Bashkuara, duke ofruar 20 përqind të elekticitetit që konsumohet në vend.

Por shpërthimet në reaktorët bërthamor të dëmtuar nga tërmeti në Japoni, ndërkohë që zyrtarët atje përpiqen të parandalojë shkrirjen e bërthamës nukleare, kanë risjellë debate në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë rreth sigurisë së fuqisë bërthamore.

Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë Kryetari i Komisionit Rregullator Bërthamor, Gregory Jaczko, tha se si rezultat i largësisë së madhe nga Japonia, shanset janë mjaft të vogla që radiacioni nga reaktorët e dëmtuar bërthamor të arrijnë deri në Havai apo pjesët tjera të Amerikës. Por gazetarët këmbëngulën se sa mund të ndryshojë planet e administratës së presidentit Obama situata në Japoni për të menduar rreth sigurisë së centraleve bërthamore në Shtetet e Bashkuara.

"Ajo që mund të them është se kemi një program të fortë sigurie për të trajtuar ngjarjet sizmike që mund të ndodhin në çdo objekt bërthamor në këtë vend. Ndërkohë që kapërcejmë këto kriza ku ne vazhdojmë të japim ndihmën tonë për Japoninë, ne do të mbledhim informacione rreth detajeve të ngjarjeve. Por nuk dua të spekuloj rreth faktorëve të mundshëm në Japoni."

Kryetari i Komisionit Rregullator Bërthamor, Gregory Jaczko e quajti “serioze” situatën në Japoni dhe tha se reaktorët amerikanë janë ndërtuar për t'u qëndruar tërmeteve dhe cunameve.

Zëvendës Sekretari Energjisë Daniel Poneman tha se zyrtarët amerikanë do të marrin në shqyrtim informatat që dalin nga ngjarjet në Japoni por ai theksoi se nuk do të ketë ndryshime të menjëhershme në politikat amerikane të energjisë.

"Ne do të vazhdojmë të shqyrtojmë të gjitha mësimet nga Japonia hap pas hapi. Nuk është diçka e re, është pjesë e trajtimit të vazhdueshëm për zhvillimin dhe burimet e energjisë tonë për të siguruar që ato janë bërë vazhdimisht dhe me siguri."

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të qendrojnë pranë Japonisë dhe do të ndihmojnë atë vend me gjithçka ka nevojë për të trajtuar pasojat e tërmetit, cunamit dhe situatën bërthamore. Presidenti foli pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin danez Lars Loekke Rasmussen.

"Jam në kontakte të vazhdueshme me kryeministrin japonez Kan. Ekipet tona po bashkëpunojnë nga afër dhe po ashtu edhe ushtria në rajon, ndaj ne presim vazhdimin e këtij bashkëpunimi derisa të kemi një lloj stabilizimi të situatës."

Presidenti nuk foli rreth debatit në Shtetet e Bashkuara të nxituar nga situata në Japoni. Ai foli vetëm në terma të përgjithshëm mbi nevojën që Shtetet e Bashkuara të ecin drejt pavarësisë energjitike.

Kryetari i Komisionit Rregullator Bërthamor, Gregory Jaczko, u tha gazetarëve se ekspertët teknikë amerikanë janë në Tokio për të ndihmuar homoloogët japonezë që të trajtojnë situatën e krijuar pas dëmtimit të reaktorëve nga tërmeti dhe cunami. I pyetur nëse situata në Japoni mund të përkeqësohet edhe më tej, ai nuk pranoi të spekulonte. Por ai tha se Japonia është një vend i përparuar në teknologjinë bërthamore me burime të rëndësishme.