Zgjedhjet presidenciale serbe edhe në Kosovë

Votat e hedhura në Kosovë do të dërgohen në Serbi për t’u numëruar

Serbia sot voton në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Për herë të tretë në këto zgjedhje po përballen presidenti i deritashëm Boris Tadiç, i cili shihet si drejtues i forcave properëndimore dhe kryetari i Partisë Përparimtare serbe, Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij më radikale.


Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 6 maj, Boris Tadiç kishte fituar me më pak se një për qind më shumë vota sesa kundër kandidati i tij.

“Sot është një ditë thelbësore kur duhet të vendosim orientimin që do të marrim për pesë vitet e ardhshme e madje edhe në dhjetë vjetshin e ardhshëm. Bota po pret të shoh pjekurinë tonë demokratike. Kjo është një mundësi për të riafirmuar orientimin drejt qytetërimit evropian”, tha zoti Tadiç.


Ndërkaq, kundër kandidati i tij, Tomislav Nikoliç, tha se Serbia duhet të dëshmojë gatishmërinë për ndryshime.

“Jam i bindur se unë jam zgjidhja më e mirë për Serbinë, por u takon qytetarëve të Serbisë të vendosin”, tha ai duke theksuar se sikundër deri tash do të përgëzojë fituesin e tyre.


Të dy kandidatët ndërkaq kanë pak dallime sa i përket çështjes së Kosovës. Të dy, synojnë siç thuhet, politikën edhe Evropa edhe Kosova, me gjithë faktin se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nuk mund të pranojë anëtarësimin e vendeve që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët. Serbia mori këtë vit statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve me Prishtinën, përfshirë edhe atë për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Këto zgjedhje shihen si një periudhe e përcaktimit të orientimit të Serbisë në proceset integruese evropiane.


Zgjedhjet presidenciale të Serbisë po mbahen edhe në Kosovë ku Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë ka hapur 90 vendvotime në 28 pjesë të ndryshme të Kosovës. Përfshirja e kësaj organizate në organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ishte kërkuar nga institucionet e Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve serb në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.


Shefi i këtij misioni Werner Almhofer u shpreh i kënaqur me rrjedhën e procesit që u mundësua nëpërmjet një marrëveshjeje politike.

“Kjo dëshmon pjekurinë demokratike të të gjithëve në Kosovë për të mundësuar këtë proces”, tha zoti Almhofer.


Mekanizmat vendas e ndërkombëtarë të sigurisë thanë se votimet po rrjedhin pa ndonjë problem. Votat e hedhura në Kosovë do të dërgohen në Serbi për t’u numëruar.

Prishtina zyrtare nuk pret ndonjë ndryshim në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës pavarësisht se cili do të jetë fituesi i zgjedhjeve në Serbi. Autoritetet në Prishtinë thonë se është në të drejtën e qytetarëve serbë të vendosin nëse duan një pushtet properëndimorë apo jo, mirëpo cilado që të jetë zgjedhja e tyre nuk do të përcaktojë proceset integruese të Kosovës.

http://www.youtube.com/embed/vBaBK1-7yxA