Zgjedhjet paraprake në New Hampshire: Çështjet shqetësuese për votuesit

  • Carolyn Presutti

Zgjedhjet paraprake në New Hampshire: Çështjet shqetësuese për votuesit

Nesër në shtetin New Hampshire do të zhvillohet zgjedhjet paraprake, pas konferencave partiake, që u zhvilluan para një jave në Iowa. Votuesit, që do të marrin pjesë në këto zgjedhje në New Hampshire, do të kenë parasysh çështje të ndryshme, dhe ekonomia ka shumë të ngjarë të jetë në krye të listës, kur të vendosin se cili duhet të jetë kandidati republikan përballë Presidentit Barak Obama në zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit.

New Hampshire është një shtet me pamje të përsosura, që i shikon në kartolina, si kjo. Duket sikur atmosfera është e plogët në qytetet e vogla të këtij shteti, deri sa aty vërshojnë kandidatët presidencialë çdo 4 vjet, të cilët sjellin me vete zhurmën e konkurencës, dhe reklamat shpesh të ashpra të fushatës.

Kandidatët kalojnë shumë kohë në këtë shtet, sepse këtu zhvillohen zgjedhjet e para paraprake, ku votuesit hedhin votën për kandidatin republikan.

Votuesit republikanë dhe demokratë zgjedhin kandidatin e tyre shtet pas shteti në zgjedhje paraprake si në New Hampshire.

Por votuesit këtu janë në gjendje më të mirë financiare se sa pjesa tjetër e vendit. Artikujt me çmime të larta shiten mirë në qytetet e mëdha të shtetit.

Ky shitës i makinave Lexus në qytetin Manchester po transferohet në një dyqan me vlerë prej 7 milion dollarësh. Menaxheri i shitjeve thotë se të ardhurat gjatë 3 mujorit të fundit ishte fantastike.

Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për njerzit që jetojnë larg godinave të bukura të qyteteve. Rrugët në periferi të qyteteve të çojnë në zona që jetojnë mes vështirësive ekonomike. Franny Longo ka punuar për një kompani druri për 25 vjet.

"Kam qënë në gjendje të mbijetoj. Kaq mund të them. Jam përpjekjur me punë të madhe dhe me çdo mënyrë tjetër që të mbijetoj".

Franny Longo punon për kompaninë Peterboro të shportave, e cila ka ekzistuar për më shumë se 150 vjet, një kompani me të vërtetë e prodhimeve amerikane. Ky është një biznes i sukseshëm që u rrit 38 për qind vitin e kaluar. Pronarja Joan Dodds shpreson që vota e saj nesër do të sjellë ndryshim në Uashington.

"E di që vendi është në vështirësi dhe ne duhet të bëjmë diçka e jo të presim më gjatë".

Është e qartë se votuesit në New Hampshire janë kryesisht të shqetësuar rreth ekonomisë. Dhe para se të hedhin votën nesër, ata duhet të kenë parasysh se cili kandidat republikan mund të rikthejë zhvillimin ekonomik në vend.

Motoja e shtetit New Hampshire është 'Jeto i lirë ose vdis'. Banorët e këtij shtetit janë shumë të pavarur, por edhe shumë të pavendosur se për cilin kandidat do të votojnë nesër.

Matt Rocca e di mirë zanatin e tij, por nuk e di ende se për cilin kandidat do të votojë.

"Nuk kam vendosur ende. Do të pres deri në fund".

Neil Levesque ka banuar gjithë jetën në New Hampshire dhe ka punuar për një numër fushatash elektorale. Tani ai drejton Institutin e Politikave në Kolegjin e Shën Anselm në Manchester.

"Votuesit në New Hampshire do të presin deri në minutën e fundit para se të hedhin votën, madje ata do të ndryshojnë mendim nëse një kandidat i caktuar bën ndonjë gabim të madh. New Hampshire është një shtet i njohur për rezultate të papritura".

Një rezultat i madh i papritur do të ishte nëse ish guvernatori i shtetit fqinj Mit Romni do të humbiste. Sipas anketave të opinionit, zoti Romni kryeson mes kandidatëve republikane me 40 për qind mbështetje mes votuesve në New Hampshire. Ai është aq i bindur se do të fitojë në këtë shtet, saqë të enjten ai bëri fushatë në Karolinën e Jugut, shtet që zhvillon zgjedhjet paraprake pas New Hampshire.

Por ndërsa shumë votues në këtë shtet nuk kanë vendosur se për cilin kandidat do të votojnë, të gjithë pretendentët republikanë kanë zhvilluar një fushatë intensive, për të tërhequr votuesit e këtij shteti, si ata që janë në gjendje të mirë financiare ashtu edhe ata që nuk janë edhe aq mirë.